Haradinaj: Një ditë do të pastrohen listat, veteranët e rrejshëm do të hiqen

Lajme

Haradinaj: Një ditë do të pastrohen listat, veteranët e rrejshëm do të hiqen

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 19:12
Daut Haradinaj

Debatit për numrin e madh të veteranëve të dalë nga lufta, i publikuar nga komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit, i është bashkangjitur edhe një ndër figurat kryesore të UÇK-së, Daut Haradinaj, i cili thotë se ideja e të qenit veteran po keqpërdoret.

Haradinaj, në Facebook ka shkruar se nëse dikush ka hyrë pa meritë në listën e veteranëve duhet ta dijë që herët ose vonë do të ndodh pastrimi i listave dhe pastaj të njëjtit do të japin përgjegjësi para ligjit.

Ai thotë se askush nuk duhet ndjerë keq se sot është veteran, por sipas tij, keq duhet të ndihen ata që do të hiqen nga lista një ditë.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Përpjekjet e shqiptarve për të ardhë deri te liria, janë tepër të mëdha, aq të mëdha sa për plot njerëz përfshi edhe mua nuk është vështirë për të kuptuar çmimin që e ka dhënë Kosova për të jetuar të lirë si popujt tjerë në rajon.

Sot kur po afrohen ditët për ta festuar përvjetorin e 17-të të përfundimit të luftës, më në fund veteranët janë të trajtuar me ligj si kategori e veçantë.

Në anën tjetër numri i veteranëve po hedhet në dyshim, se sa ishin dhe ku ishin në këtë luftë, një e vërtetë është se në Brigaden 131 ku kam pasur përgjegjësinë e caktuar, të gjithë ata qe kanë luftuar do të trajtohen të barabartë, pa asnjë fije dallimi.

Se a ishin shumë apo nuk ishin, ka mjaftueshëm dokumenta qe e vërtetojnë se sa janë deshmorë, sa janë invalidë të plagosur dhe sa janë invalidë qe i humbën pjesët e trupit.

Por, ideja e të qenurit veteran po keqpërdoret dhe interpretohet si raste sociale. Veteran i luftës është titull nderi që e nderon çdo familje që kishin djalin apo vajzën aktiv në këtë luftë.

Nëse dikush ka hy pa meritë në listen e veteranëve , duhet ta kuptoj se herët ose vonë do ndodhë pastrimi i listave dhe bashkë me pastrimin do japin pergjegjësi para ligjit.

Askush mos të ndjehet keq që sot është veteran, të ndjehen keq ata që do hiqen nga listat e veteranëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat