Ndryshuan emrin e shoferit të përfshirë në aksident, arrestohen 3 policë

Kronikë e zezë

Ndryshuan emrin e shoferit të përfshirë në aksident, arrestohen 3 policë

Më: 6 maj 2016 Në ora: 09:51

3 punonjës të policisë së qarkullimit rrugor Delvinë, janë arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Vlorë. Këta persona akuzohen për shpërdorim detyre.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, të arrestuarit janë shtetasit:

1. Nënkomisar Artan Alinani, 47 vjeç, me detyrë specialist shërbimi dhe përgjegjës grupi në seksionin e kontrollit dhe menaxhimit të qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë.

2. Inspektor Osman Tozo, 49 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në seksionin e kontrollit dhe menaxhimit në Komisariatin e Policisë Delvinë.

3. Inspektor Shkëlqim Vrapi, 51 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në seksionin e kontrollit dhe menaxhimit në Komisariatin e Policisë Delvinë.

Sipas policisë së Vlorës, ndalimi i tyre u bë pasi në datë 2 maj 2016, rreth orës 13:00, në një rrugë të qytetit të Delvinës, automjeti i tipit “Mercedes Benz”, me targë “DL 3134 A”, në pronësi të shtetasit M. A., por i drejtuar nga shtetasi A. SH., u përplas me automjetin me targa greke “YZX 4089”.

“Pavarësisht ngjarjes së ndodhur, shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Delvinë, Artan Alinani, dyshohet se ka ndryshuar emrin e drejtuesit të automjetit me targë “DL 3134 A” të përfshirë në ngjarje, shtetasit A. SH., pasi nuk kishte leje drejtimi, me një shtetas tjetër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në realizimin e këtij akti falsifikimi janë përfshirë edhe efektivët e policisë, inspektor Shkëlqim Vrapi dhe inspektor Osman Tozo.

Punonjësit e policisë akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat