Vrasja e Çiços, flet Elton Imeri: Ja e vërteta e njohjes së vëllait tim me grabitësit dhe letra që kemi dërguar Ylli Manjanit

Kronikë e zezë

Vrasja e Çiços, flet Elton Imeri: Ja e vërteta e njohjes së vëllait tim me grabitësit dhe letra që kemi dërguar Ylli Manjanit

Më: 3 maj 2016 Në ora: 08:59

Elton Imeri, personi i cili mbeti i plagosur në këmbë pas atentatit me eksploziv që iu bë në dhjetor 2015, tregon për “Gazeta Shqiptare” se nuk ka lidhje me vrasjen e Elton Çiços në Tiranë.

Ai thotë se nuk ka hasmëri me askënd, madje ndihet i kërcënuar duke qenë se atij dhe vëllait, iu është vënë tritol në makinë. Elton Imeri thotë se vëllai i tij, Ervisi nuk ka lidhje me grabitjen e prindërve të Çiços në Tepelenë, por ai ka transportuar personat pa e ditur se ç’kishin bërë. Sipas tij, Ervisi kishte kërcënime nga këta persona që të mos tregonte identitetin e 2 prej tyre, të cilin në fakt ai nuk e dinte sepse ata mbanin maska.

“Unë nuk jam në hasmëri me asnjë person. Mediat po na bëjnë ne fajtor për këtë ngjarje. Unë jam person i kërcënuar në këtë mes, duke u nisur që nga eksplozivi që iu vendos vëllait dhe mua. Po na akuzojnë padrejtësisht. Nuk kam dhënë asnjë dëshmi në polici, pasi nuk më kanë thirrur dhe jam i gatshëm që ta bëj diçka të tillë”, ka thënë ai.

Eltoni ka rrëfyer edhe ngjarjen me tritol që iu vendos vëllait të tij një vit më parë. Ky dyshimet ishin pikërisht për grabitjen e familjes së viktimës, Elton Ccicco.

LEXO EDHE
Vrasja në 1999, Kryeprokurori belg: Mark Frroku të gjykohet në Shqipëri
“Në korrik vëllait tim iu vu eksploziv në një makinë që ai e kishte marrë me qira. Fatmirësisht nuk shpërtheu. Kur na ka marrë policia në pyetje, ne vetë kemi treguar se dyshonim se ngjarja kishte lidhje me grabitjen që kishin bërë personat në Tepelenë dhe Roberti, një prej tyre, kishte marrë Ervisin në telefon që të shkonte ta ndihmonte, duke i thënë se kishte rënë në lumë. Pra, ditën kur kishte ndodhur grabitja, Roberti e kishte marrë në telefon vëllain tim rreth orës 2 të natës dhe i kishte thënë që eja më merr se kam rënë në lumin Bënç. I kishte thënë që të shkonte në shtëpinë e tij të merrte një palë rroba dhe makinën. Ervisi nuk ka pasur shumë konfidencë me familjen e tij dhe i ka thënë një shokut të Robertit që të shkonte. Ai ka shkuar në banesën e Robertit dhe pasi i kishte marrë rrobat dhe çelësat, ia ka dhënë vëllait. Personi që ka marrë rrobat e Robertit e ka deklaruar edhe vetë në prokurori këtë gjë”, thotë Eltoni.

Ai vijon më tej. “Ervisi ndodhej në shtëpinë e tij këtu në Tiranë së bashku me familjen. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga tabulatet telefonike. Por, pasi e ka marrë Roberti në telefon, është nisur për në Tepelenë me idenë se ai kishte rënë në lumë. Pa hyrë në qytetin e Tepelenës është përballur me Robertin dhe me dy persona të tjerë, që kishin qenë të maskuar e të armatosur. Në atë moment vëllai im i kishte thënë Robert “ç’më bëre, do më fusësh në hasmëri me njerëzit”. Ndërsa dy personat e maskuar i kishin vënë pistoletën në kokë vëllait dhe e kishin kërcënuar “ec, se atë e dimë ne”. Kurse Roberti kishte insistuar që ta linin, sepse kishte qenë ai që e kishte marrë në telefon. I ka çuar deri në fshatin Krasë të Tepelenës. Aty i kanë thënë “mbaje makinën dhe ik e mos trego se po bëre zë, bëji hesapet mirë”. Pas disa ditësh Ervisi dhe babai im kanë shkuar dhe e kanë takuar çiftin dhe i kanë treguar se si qëndronte puna. Ndërkohë që pala tjetër e kërcënonte duke i thënë se “nëse ti tregon, ne do të të vrasim”. Kur u ka thënë që të shkonte të tregonte në polici, ata kanë pohuar që këtë gjë le ta zgjidhte policia.

Ai flet edhe për kërcënime që i janë bërë të vëllait të tij.

“Po, ka pasur kërcënime edhe në telefon që të mos të tregonte. Nga ana tjetër Elton Çiço i kërkonte që të tregonte se kush ishin dy personat e tjerë që kishin kryer grabitjen, pasi emri i Robertit u zbulua nga policia, që kishte gjetur çantën me dokumentet e tij në makinën që kishin lënë në banesën që grabitën në Tepelenë. Ndërkohë që Ervisi nuk njihte asnjë prej tyre, pasi ata kishin qenë me maska. Jam interesuar te hetuesit që kanë çështjen në dorë dhe më kanë thënë janë ende në hetim e sipër si për mua dhe për vëllain. Të dhëna nuk më kanë dhënë. Ka 9 muaj që vëllai im nuk ka dalë akoma në gjyq. I ka shkruar letër ministrit të Drejtësisë për hetimet që të zbardhen sa më shpejt, i kam bërë shkresë Prokurorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit dhe akoma nuk kam marrë asnjë të dhënë”, rrëfen Elton Imeri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat