Xhihadisti Almir Daci nuk gjendet

Kronikë e zezë

Xhihadisti Almir Daci nuk gjendet

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 09:01

Almir Daci, ish-imami i xhamisë së Leshnicës në Pogradec, i njohur si xhihadisti shqiptar që kërcënoi Ballkanin, nuk është gjetur, pavarësisht kërkimeve dy javore të Policisë së Shtetit.

Trupi gjykues bëri të dije se janë kryer të gjitha veprimet përkatëse për gjetjen e Dacit, ndërkohë që avokati i tij bëri kërkesën e shtyrjes së seancës gjyqësore. Trupi gjykues pohoi se të gjitha komisariatet policore në vend bëjnë me dije se Almir Daci nuk ndodhet në Shqipëri dhe shpalli mungesën e tij.

Tashmë është bërë e ditur se Daci është në kërkim nga Interpoli, që e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar tashmë prej dy vitesh.

Ai njihet nga drejtësia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Almir Daci, militant i shtetit të vetëshpallur islamik, ISIS, dyshohet se ndodhet në Siri ku dhe lufton përkrah organizatave të tjera terroriste.

Veprat për të cilat akuzohet ishimami i xhamisë së Leshnicës janë: “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit”, “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e krimeve me qëllime terroriste, nxitje të urrejtjes apo konfliktit nacional, racor apo fetar”.

Po ashtu, është bërë me dije se para se Daci t’u bashkohej militantëve, ai është i njohur në raportet e Shërbimit Inteligjent Shqiptar dhe Drejtorisë së Antiterrorit, si person që më parë rekrutonte të rinj për të luftuar në radhët e ISIS-it.

Përpos këtyre, në dyshimet e SHISH-it dhe të Antiterrorit pohohet se Daci ka marrë të rinj të rekrutuar nga zonat përreth xhamisë ku shërbente si imam dhe njëri prej tyre u vra duke luftuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat