Si i mashtroi Mjacaj policët pas vrasjes së turistëve çekë

Kronikë e zezë

Si i mashtroi Mjacaj policët pas vrasjes së turistëve çekë

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 20:29

Sokol Mjacaj, autori i vrasjes së dy turistëve çekë në fshatin Prekal të Dukagjinit gjatë verës që shkoi, është arrestuar menjëherë pas ngjarjes, por ka mundur t’iu ikë dy agjentëve të policisë lokale, të cilët u mashtruan nga ai.

Fakti në fjalë nuk është publikuar dhe nuk është pranuar asnjëherë nga Policia e Shtetit, por kjo gjë ka dalë në dritë vetëm gjatë pretencës së Prokurorisë dhe dhënies së vendimit nga Gjykata e Shkodrës, që e la në burg përjetë 20-vjeçarin Mjacaj për vrasjen e Mikael Svatos dhe Ana Kosinovës.

Sipas këtij fakti, menjëherë pas vrasjes policia e Shkodrës gjatë shoqërimit të personave që ndodheshin pranë vendngjarjes, ka kapur edhe të riun Mjacaj, por ky i fundit është prezantuar me një emër tjetër, konkretisht Nikolin Kola.

Kur i është kërkuar të paraqesë një mjet identifikimi, ai u ka thënë agjentëve të shkonin në shtëpinë e tij pasi nuk e kishte me vete, duke i drejtuar në një banesë që në fakt nuk ishte shtëpia e tij.

Dhe pasi është futur në këtë banesë ka dalë nga një anë tjetër duke marrë arratinë, për t’u dorëzuar sërish po vetë, vetëm pak orë më vonë pasi u angazhuan qindra mjete dhe forca të policisë i rrethuar në një shtëpi ku kishte marrë peng edhe zonjën e saj.

Sokol Mjacaj u akuzua që në moshën 15-vjeçare për vrasjen në bashkëpunim të një djali tjetër 13 vjeç.

Por menjëherë pas daljes nga burgu ai kreu krimin e radhës duke vrarë për qëllime grabitje dy turistët çekë, Svatos dhe Kosinova, brenda në makinën e këtyre të fundit.

Pas një procesi të kryer në kohë rekord nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, Mjacaj u shpall fajtor për këtë krim të dyfishtë dhe u dënua me burgim të përjetshëm, duke mos marrë parasysh lutjet e tij për ulje të dënimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat