Ngritet aktakuzë kundër 15 të pandehurve për kontrabandim me migrante

Kronikë e zezë

Ngritet aktakuzë kundër 15 të pandehurve për kontrabandim me migrante

Më: 23 nëntor 2015 Në ora: 16:53

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër të pandehurve: A.Rr., V.H., V.H., S.H., H.H., E.Rr., V.J., B.B., I.H., A.I., V.H., M.P., A.H., F.H. dhe L.G., për veprën penale “Kontrabandimi me migrante”.

Sipas aktakuzës të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje si anëtarë të grupit kriminal, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare nga hyrja e paligjshme e shtetaseve të Republikës së Kosovës në shtetet tjera, ku nuk janë banorë të përhershëm, duke i rekrutuar dhe transportuar personat e interesuar për migrim dhe duke iu mundësuar që të kalojnë kufijtë shtetërorë dhe të hyjnë në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian pa i përfillur kushtet e domosdoshme ligjore për hyrje në ato shtete. Andaj të pandehurit, me veprimet e tyre, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrante”.

“Gjithashtu, të pandehurit V.H., V.H. dhe M.P., kanë mbajtur në pronësi dhe posedim, armë ose pjesë të armës, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armët, të cilat, janë gjetur nga Policia E Kosovës gjatë kontrollimit të shtëpive të tyre. Me këtë këta tre të pandehur përveç veprës së lartcekur penale, secili veç e veç, ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë.

Aktakuza është ngritur nga një prokurore vendëse e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat