Horror në Fier, 24 orë me gruan e masakruar në banesë

Kronikë e zezë

Horror në Fier, 24 orë me gruan e masakruar në banesë

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 11:57

Indiferenca ndaj fqinjit apo njerëzve më të cilët ndan bashkëjetesën në lagje ka sjellë një tjetër akt horror, ku autori qëndron për orë me radhë me viktimën në banesë pa e ditur askush. Rasti i frikshëm shënohet në Fier, ndërsa krimi i rëndë dhe i paprecedentë është zbuluar nga vajza e çiftit, e cila përgjatë gjithë ditës së djeshme, nuk ka marrë përgjigje nga telefoni celular i dy prindërve të saj. E shqetësuar vajza merr rrugën për në shtëpinë e prindërve, por në momentin që vjen në shtëpi gjen dyert e mbyllura.

Ka tentuar të hyjë më forcë, por nga brenda ka dëgjuar ulërimat e të atit. Atëherë ka kuptuar se diçka nuk shkon. Janë mbledhur fqinjët dhe është lajmëruar policia. Dera e shtëpisë është thyer për të hyrë brenda ndërsa sipas të dhënave të para saktësohet se gjendja në të cilën është gjetur burri ka qenë në kushte tejet të rënda psikike dhe nën efekte të dukshme alkooli, aq sa policia deri orëve të vona të së djeshmes nuk ka mundur të sigurojë asnjë dëshmi të burrit. Gruaja sipas policisë ishte me plagë të shumta në kokë dhe në pjesën e qafës, ndërsa do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbulojë edhe kohën se kur ka ndodhur ngjarja, pasi autori nuk ka qenë në gjendje që ta tregojë.

Ngjarja

Arqile dhe Goni Fili mësohet se ishin prindër të një djali dhe të një vajze, ndërsa jetonin të vetëm prej shumë vitesh. Në shtëpi ata kishin edhe një dyqan të vogël, ku shisnin kryesisht fruta-perime, ndërsa mësohet se kohëve të fundit ka patur grindje të shpeshta mes tyre. Të dhënat në lidhje me jetën e tyre në çift janë treguar ditën e djeshme, pasi është zbuluar trupi i masakruar i gruas 60 vjeçe. Sipas tyre Arqilea kishte nisur të pinte kohëve të fundit dhe zihej shpesh me gruan teksa ajo e vetme punonte për të mbajtur shtëpinë.

Ngjarja është zbuluar rreth orës 17.50 minuta. E bija e tyre, E Fili, ka parandjerë ngjarjen e rëndë dhe ka mbërritur nga Tirana në Fier për të mësuar edhe fundin e tmerrshëm të nënës së saj. Burri, i cili e kishte masakruar bashkëshorten e tij me një kosore, duke e goditur në pjesën e kokës dhe të qafës, ka refuzuar të hapi derën për të bijën dhe për policinë, ndërsa pasi është vënë në pranga. Gjatë tentativës për ta bindur të flasë, policia ka zbuluar se në momentin e krimit mund të ketë qenë krejtësisht i pirë pasi mbante shumë pak mend nga çfarë kishte ndodhur. Dyshohet se burri vuante nga ndonjë sëmundje mendore, pasi akti është tejet i rëndë për t`u pranuar, kur mendohet se ai ka qëndruar me gruan që prej mbrëmjes së të enjtes.

Rrëfimi i autorit dhe hetimet

Sipas Policisë së Shtetit bëhet me dije se nuk është mundësuar asnjë lloj dëshmia e besueshme nga ana e burrit që kreu krimin makabër. Ai i ka thënë një oficeri policie se gruaja e tradhtonte, por ai ende nuk është në gjendje të besojë se e ka vrarë dhe se nuk do ta gjente më. Sipas policisë ai i ka thënë oficerit se gruaja e tij shkonte me një person tjetër dhe se ata e rrihnin herë pas here. Ka qenë ky fakt që ka bindur policinë që autori i krimit është në gjendje të rënduar psikike dhe se nuk mund t`i merret parasysh asnjë lloj versioni deri në kryerjen e një vizite për të parë gjendjen e shëndetit të tij mendor. Sipas të dhënave, burri nuk ka dalë fare nga shtëpia që mbrëmjen e të enjtes, fakt ky që e kanë pohuar komshinjtë e tyre, ndërsa e bija dhe djali i çiftit mësohet se nuk kanë dhënë ende shpjegime pasi janë të shokuar nga krimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat