Manipuluan me biletat e ndeshjes, procedohen penalisht 2 persona

Kronikë e zezë

Manipuluan me biletat e ndeshjes, procedohen penalisht 2 persona

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 11:18

Dy persona po procedohen penalisht për manipulim me biletat e ndeshjes së ditës së djeshme Shqipëri-Serbi. Ka nisur procedim penal për shtetasin me inicialet T. R., 23 vjeç, banues në Peqin. Katër shtetasit A. K., 19 vjeç, E. K., 20 vjeç, L. K., 24 vjeç dhe N. M., 20 vjeç, të gjithë banues në Malishevë të Kosovës, kanë bërë kallëzim ndaj 23-vjeçarit.

Këta shtetas janë shprehur se T. R., do t’iu shiste 3 bileta me vlerë 150 euro, ndërkohë ai u ka dhënë vetëm një. Më pas, ai ka premtuar se do të sillte edhe dy të tjerat, por pasi ka marrë paratë është larguar.

Mësohet, se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mashtrimi” dhe “Manipulim i tregut”.

Ndërsa, shtetasi me inicialet M. LL., 52 vjeç, banues në Peqin, gjatë një kontrolli të bërë nga efektivët e policisë ditën e djeshme, rreth orës 19.20 para stadiumit “Elbasan Arena”, i janë gjetur 4 bileta me çmim të shtrenjtë. Biletat ishin me emra të tjerë dhe policia i sekuestroi në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Manipulim i tregut”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat