Vahide Badivuku mbetet në paraburgim!

Kronikë e zezë

Vahide Badivuku mbetet në paraburgim!

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 09:43

Prokurorja Vahide Badivuku, e cila është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, do të mbetet në paraburgim dy muaj.

Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit, e cila, ka lënë në fuqi masën prej dy muajsh paraburgim, ndaj të dyshuarës Vahide Badivuku. Në këtë mënyrë kolegji prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, e ka refuzuar si të pa bazuara ankesën e avokates mbrojtëse, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPRKR.nr.311/2015, të datës 22.09.2015.

Vahide Badivuku po dyshohet nga ana e prokurorisë, se ka kryer veprat penale:” Marrje e ryshfetit”, nga neni 428, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, si dhe” Keqpërdorim i pozitës zyrtare nga neni 422, i të njëjtit kod.
Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e bëra në ankesë nuk qëndrojnë, ngase bazuar në shkresat e lëndës, nuk kanë pushuar shkaqet dhe arsyet ligjore për caktimin dhe vazhdimin e masës se paraburgimit, ashtu siç parashihen në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat