Hakmarrja ndaj kolegut për djalin e prangosur, 65 vjet burg dy atentatorëve

Kronikë e zezë

Hakmarrja ndaj kolegut për djalin e prangosur, 65 vjet burg dy atentatorëve

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 10:25

Zbardhet motivi i vendosjes së tritolit në makinën e komandantit të njësive të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit nr. 6, ngjarje që ndodhi më 24 tetor 2013. Ka qenë prokuroria, që dy vite më pas ka saktësuar se shkak i vendosjes së një sasie prej 500 gr tritol në makinën e Shkurt Toplanit ka qenë hakmarrje nga një koleg i tij pasi Toplani kishte ndaluar të birin që po udhëtonte me një automjet pa dokumentacionin përkatës. Detajet u mësuan në gjykatën e Krimeve të Rënda ku Prokuroria kërkoi dënimin total me 65 vjet burg për Shaban Lamin dhe Renato Kazanin, të cilët akuzohen për “vrasjen e punonjësit të policisë”, të mbetur në tentativë.

Më 24 tetor 2013, Shaban Lami dhe Renato Kazani kanë vendosur lëndë eksplozive në mjetin e komandantit të njësive të Patrullës së Përgjithshme të komisariatit nr. 6, Shkurt Toplana, që ka shpërthyer në momentin që në të po hipte punonjësi i policisë, duke e shkatërruar mjetin, por pa i shkaktuar dëme objektivit të atentatit. Nga hetimi rezultoi se shtetasi Shaban Lami, në atë kohë punonjës policie në Komisariatin nr. 5, kishte debatuar me objektivin Shkurt Toplana, njëkohësisht koleg i tij, për faktin se patrullat e Komisariatit nr. 6 i kishin ndaluar të birin, shtetasin Ervis Lami, pasi udhëtonte me një automjet pa dokumentacion.

Për këtë arsye, duke diskutuar edhe me disa miq të të birit, të cilët kishin pakënaqësi ndaj punonjësit të policisë Toplana prej kohës kur ky i fundit punonte në komisariatin nr. 5, në Kamëz, vendosën të hakmerren ndaj tij. “I pandehuri Shaban Lami, së bashku me të pandehurin Renato Kazani kanë organizuar atentatin ndaj efektivit Sh. Toplana, me veprime aktive, duke siguruar, vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në mjetin e Toplanës, me qëllim vrasjen e tij. Pavarësisht se qëllimi kriminal përfundimtar, vrasja e efektivit të policisë, nuk u realizua përfundimisht, dy të pandehurit kanë kryer të gjithë veprimet për të finalizuar veprimet e tyre, thuhet në pretencën e prokurorisë.

Për këtë arsye, në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin e tyre, përkatësisht: me 30 vjet burgim për shtetasin Shaban Lami dhe me 35 vjet burgim për shtetasin Renato Kazani”.

Detaje

“Me ndodhjen e ngjarjes, punonjësit e policisë u vunë në dijeni se një person, djalë i ri, ishte parë pak para ndodhjes së shpërthimit afër automjetit dhe ai kishte veshur një bluzë me kapuç në kokë. Policët e arritën dhe e kapën atë dhe djali u identifikua me emrin Renato Kazani. Një ditë më parë ishte shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.6, nga patrulla e drejtuar nga punonjësi i policisë Shkurt Toplana, pasi kishte qenë duke udhëtuar me dy shokët e tij Ervis Lamin dhe A.M., në Tiranë, tek rrethrrotullimi i Doganës, me një automjet pa dokumentacion, që e drejtonte Ervis Lami.

Me gjithë automjet, tre personat ishin shoqëruar në polici, ku Ervis Lami kishte kundërshtuar urdhrat e punonjësit të policisë Sh. Toplana. Shoku i Ervisit, B.D, kishte lajmëruar me telefon të atin e Ervisit, të pandehurin Shaban Lami, që ishte punonjës policie, nënoficer shërbimi në Komisariatin e Policisë Nr.5. I pandehuri Shaban kishte punuar më parë me Toplanën në Komisariat të Policisë Nr.5 dhe ngaqë e njihte shkoi ta takonte te Komisariati Nr.6. për t`i kërkuar t`ia linte të lirë të birin. Ndërkohë B. D., kishte vënë në dijeni për shoqërimin e Ervisit në polici nga Sh. Toplana edhe një të njohurin e tyre që ndodhej në burg në Drenovë të Korçës, A.T. Ata ditë para ngjarjes Ervisi, Renatoja dhe A.M. kishin qenë në Korçë, në burgun e Drenovës për të takuar A.T, pasi Ervisi e kishte njohur atë në paraburgim, kur kishte qenë dhe vetë i paraburgosur”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat