Rrëfimi i 2 vrasësve në polici: Shënjestra jonë Elvisi, kishim konflikt për ndërhyrje në zonat e shitjes së drogës

Kronikë e zezë

Rrëfimi i 2 vrasësve në polici: Shënjestra jonë Elvisi, kishim konflikt për ndërhyrje në zonat e shitjes së drogës

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 09:07

Dy autorët e masakrës te lulishtja “1 Maji”, pas arrestimit kanë dalë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, duke shpjeguar motivet pse e kanë kryer një veprim të tillë me pasojë dy viktima. Sael Sulaj, 22 vjeç dhe Vasiel Çavo, 23 vjeç, mësohet të kenë pranuar krimin e mbrëmjes së 1 tetorit mbrapa lulishtes “1 Maji”, ku në thelb të saj qëndron tregtimi i lëndës narkotike në kryeqytet, kryesisht kokaina.

Dy të rinjtë janë shprehur se njihen prej kohësh me të plagosurin e ngjarjes së rëndë, Elvis Gaçaj dhe se shënjestër i atentatit të tyre ishte pikërisht ai. Kjo pasi, ata janë shprehur se 40-vjeçari prej kohësh ka ushtruar dhunë sistematike ndaj tyre për tregtimin e lëndës narkotike, me pretendimin se ndërhynin në zonën e tij. Ata janë shprehur para oficerëve të policisë se prej më shumë se tetë muajsh, ata janë gjendur në dhunën e ushtruar nga Elvisi.

Ky mendohet të jetë pikërisht motivi kryesor i masakrës të së enjtes, ku viktima mbetën 30-vjeçarja Oskian dhe 22-vjeçari Kevin Rugova. Ndërsa shënjestra e tyre mbeti i plagosur, jashtë rrezikut për jetën.

Dëshmia në polici

“Njihemi prej disa kohësh me Elvis Gaçajn dhe me të kemi pasur disa konflikte të ndryshme.

Konfliktet tona me 40-vjeçarin kanë një lidhje të vetme, që ka të bëjë me trafikimin e lëndëve narkotike. Acarimi ynë ka filluar që prej muajit janar të këtij viti, kohë kur Elvisi ka filluar të ushtrojë dhunë sistematike ndaj nesh, duke e vazhduar deri tani vonë. Vazhdimi i kësaj dhune nga ana e tij na ka shtyrë që të bënim një veprim të tillë. Gjithçka ka ndodhur në acarim e sipër, pasi gjithë ajo dhunë e ushtruar ndaj nesh, na shtyu të merrnim kallashin dhe ta vrisnim atë.

Dhuna e ushtruar ndaj nesh nga Elvisi, bëhej për shkak të pretendimeve të tij, që ne futeshim në territorin e tij për tregtimin e drogës (kokainë, hashash). Një rast tjetër dhunë është i freskët fare. Para një jave, Kevin Rugova ka bërë sherr me shokët tanë, pikërisht për të njëjtën arsye, pasi Kevin shpërndante drogë për llogari të Elvisit. Mbrëmjen e ngjarjes, të dy vendosëm ta vrisnim Elvisin dhe u vendosëm në vendin ku ata qëndronin. Pasi dolën, filluam të qëllonim pa ditur se ku hidhnim plumbat e më pas u larguam me shpejtësi”, mësohet të jenë shprehur dy autorët e ngjarjes te lulishtja “1 Maji”.

E kaluara

Dy autorët e dyshuar për vrasjen e dyfishtë të 1 tetorit në Tiranë, rezultojnë me të kaluar kriminale. Sael Sulaj rezulton i dënuar për vjedhje në vitin 2015, ku u dënua me 1 vite e 8 muaj burg. Por, Sulaj mori ulje me 1/3 e dënimit (1 vit, 1 muaj, 10 ditë burgim) dënim të cilin e ka kryer me kohën e paraburgimit.

Ndërsa 23-vjeçari Vasiel Çavo, në vitin 2012 është dënuar “Prodhim dhe shitje të narkotikeve në formën e mbajtjes”, pasi u kap me rreth 19 gramë kokainë. Prokuroria kërkoi 3 vjet e katër muaj burg përfshirë uljen e dënimit me 1/3. Këtë vendim dha dhe gjyqtari, Arben Micko, por ai aplikoi nenin 59 të Kodit Penal duke mos e ekzekutuar dënimin. Ai caktoi që i pandehuri të mbante kontakte me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale për 18 muaj që dënimi të mos ekzekutohet. Ditën e diel, ose të hënën paradite, dy autorët pritet të dalin para Gjykatës së Tiranës, ku do njihen me akuzat e “Vrasjes në rrethana cilësuese”, “Armëmbajtje pa leje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat