36-vjeçarja rreh vajzën sepse i tregoi babait se ‘mami ka të dashur’

Kronikë e zezë

36-vjeçarja rreh vajzën sepse i tregoi babait se ‘mami ka të dashur’

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 15:44

Një 16-vjeçare, më e madhja e tre fëmijëve në një familje në kryeqytet, ka denoncuar në polici dhunën fizike dhe psikologjike të nënës së saj, gjatë kohës që babai ishte në emigracion. Para oficerëve të policisë dhe më pas në gjykatë, gjatë shqyrtimit të kërkesës për lëshimin e një urdhri mbrojtjeje, minorenia K.E. ka pretenduar se dhunohej pa shkak nga e ëma e saj, K.V.
Në vendimin që ka vërtetuar urdhrin e mbrojtjes ndaj 16-vjeçares, gjykata shprehej se konflikti mes të dyjave kishte kulmuar në 8 mars ku ato janë sharë dhe ofenduar në sy të dy fëmijëve më të vegjël, pasi nëna 36-vjeçare i kërkonte minorenes “që ajo të mos i tregonte babait të saj se mami do të shkonte në Itali me të dashurin e saj”. Në zbatim të vendimit të gjykatës, e paditura nuk duhet të kërcënojë apo ngacmojë vajzën e saj të madhe. Njëkohësisht gjykata urdhëron të paditurën të mos afrohet apo të hyjë në banesën ku jetojnë fëmijët e saj dhe as në shkollën e tyre.
DHUNA
Referuar vendimit të gjykatës, në kohën e kërkesës për urdhërmbrojtje paditësja dhe e paditura, nënë e bijë, jetonin bashkë, pasi kryefamiljari ndodhet në një nga vendet e Europës Perëndimore si emigrant për të punuar. Paditësja K.E. ka pohuar se në disa raste e ëma ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike, por ajo dhe dy fëmijët e tjerë e kanë duruar këtë sjellje, pasi nuk kishin prezent as babain e tyre. Në shpjegimet e dhëna në seancë, por edhe në denoncimin e saj në polici, 16-vjeçarja ka pohuar se dhunohej për shkaqe banale. Një nga incidentet e fundit ka ndodhur në muajin mars, ku mamaja e saj ka ardhur në shtëpi dhe ka ofenduar e dhunuar vajzën, e cila nuk ka pranuar faktin e ikjes së nënës në Itali pa lejen e të atit për 8 Marsin.
DESHMIA E TE VEGJLVE
Gjatë shqyrtimit të kërkesës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, gjykata ka administruar edhe dëshminë e dy fëmijëve më të vegjël të familjes. Të pyetur në praninë e një psikologeje, të vegjlit kanë rrëfyer se ndihen të dhunuar nga nëna e tyre, e cila ikën vazhdimisht natën nga shtëpia. Sipas tyre, ajo i dhunon psikologjikisht dhe fizikisht, sidomos motrën e tyre të madhe, për shkaqe të kota, kur nuk i plotësohen dëshirat e saj. Gjykata ka vënë re se ata ndihen të trembur dhe të frikësuar nga veprimet e të paditurës, pasi ajo çdo natë nuk dhunon vetëm fëmijët, por edhe veten e saj, duke thënë se “unë do të vras veten”. Mbi pyetjen e psikologes se përse dhunoheshin nga nëna e tyre, ata janë përgjigjur se ajo e bënte pa asnjë shkak, pasi ishte natyrë e dhunshme. “Meqenëse u mungon edhe babai, ata ndihen të frikësuar dhe të kërcënuar e duan të jetojnë pranë gjyshes së tyre”, citohej rrëfimi i tyre në vendimin e gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat