Droga me avion, policia u asgjësoi vetëm 387 rrënjë trafikantëve

Kronikë e zezë

Droga me avion, policia u asgjësoi vetëm 387 rrënjë trafikantëve

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 08:26

Sipas informacioneve të ardhura nga autoritetet italiane, të dyshuarit kishin plantacione hashashi në fshatrat Ramicë, Xhyherinë, Risili dhe përgjatë lumit të Shushicës, por policia më datë 19 gusht sekuestroi vetëm 387 rrënjë kanabis. Ja rolet e “Willit”, “Dobiçit”, “Pomës” dhe “Kelit”.

Grupi i trafikantëve shqiptarë të kanabisit kishte arritur të krijonte plantacione të tëra hashashi kryesisht në zonën e quajtur Lumi i Vlorës, ku kishin shfrytëzuar toka pa pronar për kultivimin e lëndëve narkotike. Të dhënat i janë referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga autoritetet italiane, të cilat kanë mbajtur nën vëzhgim prej muajsh shqiptarët e përfshirë në trafikun e drogës me avion. Edhe pse për kultivimin dhe rritjen e tyre ishin angazhuar disa prej pjesëtarëve të grupit, policia ka mundur të asgjësojë shumë pak nga sasia e kanabisit të kultivuar.

Të gjithë personat e përgjuar nga autoritetet italiane dhe më pas nga prokuroria shqiptare tregonin në komunikimet e tyre të vazhdueshme mes njëri-tjetrit se kanë kultivuar sasi të konsiderueshme hashashi në zonat e tyre të lindjes. Madje në to ka roje dhe persona që kujdesen për ujitjen e parcelave. Disa nga zonat e identifikuara nga përgjimet si të mbjella me kanabis-sativa janë tri fshatra të Vlorës dhe toka përgjatë rrjedhës së lumit Shushicë.

“Rezulton se ata kanë kultivuar më shumë se tri parcela me kanabis-sativa në fshatrat Ramicë, Xhyherinë, Risili dhe përgjatë lumit të Shushicës”, thotë prokuroia. Ende nuk dihet numri i saktë i bimëve narkotike të mbjella për llogari të të arrestuarve, por konfirmohet se policia ka sekuestruar vetëm 387 rrënjë kanabis.

“Më datë 19.08.2015, efektivat e Policisë së Qarkut Vlorë kanë asgjësuar tri parcela me 387 bimë narkotike kanabis-sattiva në fshatin Ramicë, tek përroi i Burhamtit”, thotë prokuroria. Të dhënat për këtë aksion të policisë janë përcjellë më pas edhe në prokurori si referencë se të dyshuarit ishin përfshirë edhe në kultivimin e lëndëve narkotike, përveçse në transportin e saj me avion.

I angazhuar drejtpërdrejt si personi që kishte nën kujdes mbrojtjen e parcelave ishte shtetasi Sokol Lamaj, i cili kishte ndryshuar mbiemrin për shkak të problemeve që ai kishte pasur më parë me drejtësinë italiane. Sokol Lamaj është vënë në dijeni nga “roja” i hashashit se më datë 19 gusht, policia kishte shkuar pranë parcelave të tij të hashashit dhe menjëherë ai ka kontaktuar Vladimir Zanajn, shefin e Burimeve njerëzore në Policinë e Vlorës, të cilit i ka kërkuar se si mund të zgjidhej situata. Zanaj i ka thënë se do të interesohej ai. Pas kësaj bisede mes trafikantit të hashashit dhe zyrtarit të policisë ka pasur edhe dy biseda të tjera për këtë çështje, por përmbajtja e tyre konsiderohet si sekret, për shkak të rëndësisë që kanë për hetimin.

Nga përgjimet e policisë italiane dhe ato të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë zbardhur edhe pseudonimet që përdornin të dyshuarit. Kështu, Vilson Lamaj, piloti i avionit që transportoi 130 kilogramë kanabis nga Shqipëria në Itali, thirrej me nofkën “Willi”, ndërsa kushëriri i tij, Kleo Lamaj njihej me nofkën “Keli”.

Sipas prokurorisë, pseudonimet e Bukurosh Këshillit ishin “Dobiçi” dhe “Roshi”, ndërsa Fatos Burhamaj njihej me nofkat “Poma” ose “Lushi”. Nga bisedat e përgjuara dyshohet se mes vëllezërve Lamaj dhe shtetasit Fatos Burhamaj ka lindur konflikt, që ka të bëjë me angazhimet financiare brenda grupit kriminal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat