Hajdutët vjedhin shtëpinë e biznesmenit, fshati u vihet në ndjekje

Kronikë e zezë

Hajdutët vjedhin shtëpinë e biznesmenit, fshati u vihet në ndjekje

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 07:53

Banesa e një biznesmeni në fshatin Markat të Sarandës ka rënë pre e hajdutëve. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 18:00, kur dy persona kanë hyrë me thyerje në banesën e biznesmenit në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe ndërtimit, Ferik Hoxha.

Në banesë, në kohën kur kanë hyrë hajdutët, nuk ndodhej njeri, por sapo kanë dalë prej saj, dy vjedhësit janë pikasur fillimisht nga djali i biznesmenit, 20-vjeçar, i cili në atë kohë kthehej nga puna që kishte qenë me të atin, në punishten e tyre të mermerit, jashtë fshatit. Me të parë të panjohurit, iu është vënë mbrapa duke vrapuar. Fillimisht hajdutët u futën në malin përballë Markatit.

Disa fshatarë që ishin atje afër i janë bashkuar ndjekjes së hajdutëve, një pjesë në këmbë dhe një pjesë tjetër me makinë. Pas lajmërimit të policisë, forca të shumta kanë shkuar në zonë, duke nisur kërkimet për autorët e vjedhjes. Atyre iu është bashkuar dhe një grup nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe kanë nisur krehjen e malit përballë banesës, nga ku ishin drejtuar vjedhësit. Operacioni ka zgjatur disa orë, por pa rezultat, për shkak të terrenit të thyer dhe errësirës.

Ndjekja ka vazhduar deri te përroi në fshatin Shalës, por atje, për shkak të errësirës, kanë humbur çdo gjurmë me hajdutët. Sipas biznesmenit Ferik Hoxha, që është një nga biznesmenët më në zë në zonë, si për punishten e vajit, lopët që mbarështon dhe punishten e mermerit, të cilat i administron familjarisht, në banesën e tij mungonin 5 mijë dollarë, 3 mijë euro dhe 400.000 lekë të vjetër.

Burime policore bëjnë të ditur se, sipas biznesmenit Hoxha, kjo shumë ishte grumbulluar nga shitja e vajit dhe produkteve të blegtorisë, pasi ai është pronar i një fabrike vaji dhe 20 lopëve, por edhe nga shërbimet me mermerin ku fshatarët porositin tek ai gjithçka u duhet prej mermeri, si dhe varrezat.

Policia vazhdon të kërkojë ende duke përdorur edhe metoda në rrugë operative. Mësohet se hajdutët e kanë njohur mirë zonën, madje edhe fshatin, ndërsa kanë ditur edhe për paratë e biznesmenit që janë futur në shtëpinë e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat