Konfiskohet trualli 2 milionë euro, burg falsifikatorëve

Kronikë e zezë

Konfiskohet trualli 2 milionë euro, burg falsifikatorëve

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 08:03

Gjykata e Vlorës urdhëroi konfiskimin e truallit që ndodhet në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë, me sipërfaqe prej 22 mijë metra katrorë që kap vlerën e rreth 2 milionë eurove. Kjo pronë, sipas gjykatës, është përfituar nga dy falsifikuesit Vilson Lushaj dhe ish-juristja e hipotekës Blerina Dhami. Ish-juristja e hipotekës Blerina Dhami u dënua me 4 vjet burg, ndërsa shtetasi Vilson Lushaj me 3 vjet e 6 muaj heqje lirie, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Ata akuzohen se, duke përdorur dokumente të falsifikuara, kanë përfituar pronësinë mbi dy prona që ndodhen në lagjen “1 Maji” me rreth 1700 metër katrorë dhe truallin te zona e “Ujit të ftohtë” me sipërfaqe 20 mijë e 800 metër katrorë.

Lushaj, duke përdorur dokumente të falsifikuara, ka përfituar në mënyrë të paligjshme pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me nr. 32/435, zona kadastrale nr. 8604, e llojit truall, me sipërfaqe 20.039 m², ndodhur në lagjen “1 Maji” si dhe pronën me nr. 17/1/2, zona kadastrale nr. 8602, e llojit truall, me sipërfaqe 1.700 m², ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”. Ndërsa Dhrami, në cilësinë e juristit të Z.Rr.P.P Vlorë, duke përdorur dokumentet e falsifikuara, duke pasur dijeni për përmbajtjen e tyre të rreme, ka kryer regjistrimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme të Z.Rr.P.P Vlorë, të dy pasurive të paluajtshme në favor të Lushajt.

Si u zbulua falsifikimi

Gjatë shqyrtimit gjyqësor u provua se shtetasi V.N, administrator i shoqërisë “N….” sh.p.k., që ushtron aktivitet në qytetin e Vlorës, ka paraqitur kallëzim penal para oficerit të policisë gjyqësore. Ky shtetas ka sqaruar se më datë 02 maj 2011, ka aplikuar pranë Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Vlorë për marrjen me qira të një sipërfaqe prej 10.000 m², të zërit kadastral “pyll”, pjesë e ekonomisë pyjore “Kume-Shashicë”. Kallëzuesi ka lidhur një kontratë me datë 12 shtator 2012 me D.Sh.Pyjor Vlorë, me objekt dhënien me qera subjektit “N….” sh.p.k., të sipërfaqes prej 10.000 m² pyll pishe, pjesë e fondit pyjor publik, në ekonominë pyjore Kume- Shashicë, ku do të ushtrohej veprimtari me qëllime rekreative. Afati i kontratës i përcaktuar nga palët ishte 10 vjet dhe si i tillë duhej të regjistrohej në regjistrin publikë.

Për këtë qëllim shtetasi V.N., më datë 18 tetor 2012 është paraqitur dhe ka kryer aplikimin për regjistrim të kontratës së qirasë pranë ZVRPP Vlorë. Nëpunësi pritës i ZVRPP-së Vlorë, i ka komunikuar se kjo pasuri krijonte mbivendoje me pasurinë prej 20.000 (njëzet mijë) m² të zërit kadastral “truall” të regjistruar më datë 18 shtator 2012 në emër të shtetasit Refat Lushaj. Shtetasi është vënë në dijeni se regjistrimi ishte kryer bazuar në vendimin nr.80, datë 30 maj1995, të Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Bashkia Vlorë ka konstatuar parregullsi nga pikëpamja e formës dhe përmbajtjes, pasi pasuria ka qenë gjithnjë e llojit “pyll” dhe asnjëherë truall etj., fakte këto që kanë krijuar bindjen te shtetasi se ishte regjistruar një pronë me dokumentacion të falsifikuar.

Falsifikimet

Në përfundim të verifikimit, rezulton se kërkesën për regjistrimin e kësaj pasurie e ka trajtuar e pandehura Blerina Dhrami. Provohet se shkresa e lëshuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka kaluar nëpër protokollin e ZVRPP Vlorë, duke mos marrë numër hyrës, si dhe nuk është sigluar nga regjistruesi i ZVRPP-së Vlorë. Ndërsa në lidhje me dosjen e subjektit të shpronësuar Zeqir Lushaj, ka rezultuar se në arkivën e këtij institucioni nuk ndodhet dosje e depozituar në emër të këtij shtetasi. Në funksion të hetimit rezulton se shenjat e vulave rrethore të vendosura në këtë dokument nuk janë formuar nga e njëjta klishe vule, krahasuar me shenjat e vulave me të njëjtat tekste. Nënshkrimi në emër të një zyrtari të AKKP-së Qendrore në Tiranë nuk është nënshkrim origjinal i zyrtarit nga AKKP Qendror, krahasuar me modelet e paraqitura në emër të tij. Përveç këtij dokumenti të falsifikuar, ka rezultuar se nga i pandehuri Vilson Lushaj janë paraqitur edhe dokumente të tjera të falsifikuara. Ai ka qenë edhe më parë i proceduar për “falsifikim dokumentesh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat