Vlorë, 7.6 vjet burg për dy falsifikatorë e përvetësues pronash

Kronikë e zezë

Vlorë, 7.6 vjet burg për dy falsifikatorë e përvetësues pronash

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 18:55

Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka dënuar me një dënim total prej 7 vjet e 6 muaj dy shtetas, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh” më shumë se një herë, si edhe ka vendosur konfiskimin e truallit të përfituar nga falsifikimi i dy të pandehurve, e cila arrin në vlerën e tregut rreth 2 milionë euro dhe gjendet në zonën e plazhit të vjetër, në lagjen “1 Maji” të qytetit.

Në përfundim të gjykimit, gjykata ka vendosur dënimin me 3 vjet e 6 muaj burgim për shtetasin Vilson Lushaj dhe 4 vjet burgim për shtetasen Blerina Dhami, ish-juriste e Hipotekës së qytetit, të cilët, nëpërmjet falsifikimit, kanë përvetësuar dy sipërfaqe tokë truall në një total prej rreth 22 mijë metra katrorë.

Në hetim dhe më tej në gjykim, i pandehuri Vilson Lushaj është akuzuar se duke përdorur dokumente të falsifikuara ka përfituar në mënyrë të kundraligjshme pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me, e llojit truall, me sipërfaqe 20.039 m², ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë. Po kështu, i pandehuri Vilson Lushaj është akuzuar se duke përdorur dokumente të falsifikuara ka përfituar në mënyrë të kundraligjshme pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme, e llojit truall, me sipërfaqe 1.700 m², ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.

E pandehura Blerina Dhrami është akuzuar se në cilësinë e juristit të Z.Rr.P.P Vlorë, duke përdorur dokumentet e falsifikuara, duke pasur dijeni për përmbajtjen e tyre të rreme, si dhe duke kryer “korrespondenca” me A.K.K.P Tiranë me qëllim verifikimin e dokumenteve, por që në të vërtetë këto korrespondenca kanë qenë të falsifikuara, në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, si dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së saj, ka kryer regjistrimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme të Z.Rr.P.P Vlorë, të dy pasurive të paluajtshme të mësipërme, me sipërfaqe trualli 20.039 m² dhe 1.700 m², në favor të të pandehurit Vilson Lushaj dhe familjarëve të tij, duke i pajisur ata me dokumentet përkatëse të pronësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat