Asgjësohen 8738 rrënjë kanabis, arrestohen 4 persona

Kronikë e zezë

Asgjësohen 8738 rrënjë kanabis, arrestohen 4 persona

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 10:19

Policia e Shtetit ka vijuar me operacionet kundër kultivimit të bimëve narkotike, ku ka asgjësuar rreth 8738 bimë kanabis në Shkodër, Tepelenë dhe Gjirokastër.

Policia e Shkodrës njoftoi të premten se nga operacionet antikanabis në Shkodër, Pukë dhe Malësi të Madhe, gjatë ditës së enjte janë asgjësuar gjithsej 5916 rrënjë bimësh narkotike.

Kështu, në fshatin Kaftallë të Pukës janë gjetur dhe asgjësuar 16 parcela me 4192 bimë kanabis; në fshatin Shpor të Shkodrës janë gjetur dhe asgjësuar 10 parcela me 709 bimë kanabis; në fshatin Vasiaj të Shkodrës janë gjetur dhe asgjësuar 11 parcela me 805 rrënjë kanabis; në fshatin Xhaj të Malësisë së Madhe është gjetur dhe asgjësuar 1 parcelë me 210 rrënjë kanabis.

Bimët u asgjësuan me anë të djegies. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, efektivat e Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës kanë bërë të mundur zbulimin dhe asgjësimin e 1100 bimëve narkotike. Bima u gjet në vendin e quajtur “Mollët”, në fshatin Golem.

Edhe në Tepelenë gjatë ditës së enjte u asgjësuan 1140 rrënjë narkotike kanabis. Policia e Tepelenës e zbuloi bimën në vendin e quajtur “Lisi i Pelivanit”, lagjia Çorraj në fshatin Gllavë. Ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë në Lezhë janë arrestuar 4 persona të dyshuar për kultivimin e rreth 582 bimëve narkotike.

Në prangat e policisë kanë rënë shtetasit, Adem Mema 73 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, Pjetër Leka 55 vjeç, Petrit Lesi 44 vjeç dhe Vera Lesi 41 vjeç, të tre banues në Rrasfik, Mirditë. Arrestimi i tyre u bë pas kontrollit në Mirditë, në Fushë-Mamurras dhe në Lezhë, ku u asgjësuan 582 rrënjë kanabis sativa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat