Policia e Kosovës vazhdon kërkimin për Agim Madanin

Kronikë e zezë

Policia e Kosovës vazhdon kërkimin për Agim Madanin

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 13:03

Tefik Syla, nga zyra për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, ka konfirmuar se vazhdon kërkimi për Agim Madanin, (shtetas i Shqipërisë), i shpallur pak ditë më parë në kërkim si person shumë i rrezikshëm dhe i armatosur, gjë të cilin e kishin publikuar edhe mediat.

Ai ka theksuar se ka njoftime të kohëpaskohshme për vendndodhjen e këtij personi, por që nuk ka rezultuar të jetë ai, duke shtuar se lëvizjet e tij janë prej Pejës në drejtim të Deçanit, pastaj Junik-ut dhe Shqipërisë.

“Ky person nuk e ka një vendqëndrim statik. Edhe sot e kemi verifikuar një person, për të cilin është dyshuar të jetë Agim Madani, por nuk ka rezultuar të jetë ai. Pas njoftimit që kemi bërë në media me publikimin e fotografive dhe të dhënave tjera, qytetarët- në shenjë bashkëpunimi më Policinë e Kosovës - çdo të dyshimtë e lajmërojnë dhe ne menjëherë shkojmë dhe e verifikojmë personin. Qytetarët dëshirojnë të na ndalin në ndihmë. Ne e kemi bërë këtë njoftim pas sulmit që i ka bërë patrullës policore Agim Madani, e cila ka qenë në tentim për ta kapur gjatë një vjedhje”, ka shtuar Syla.

Ndryshe, mediat kanë raportuar para disa ditëve se Agim Madani, shtetas i Shqipërisë është shpallur në kërkim, si person shumë i rrezikshëm dhe i armatosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat