Vrasja në Mallakastër, 26-vjeçari: Vëllezërit më dhanë 200 mijë lekë

Kronikë e zezë

Vrasja në Mallakastër, 26-vjeçari: Vëllezërit më dhanë 200 mijë lekë

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 13:33

Gjykata e Fierit ka lënë në burg tre të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen e Alfons Dautajt nga Ninëshi i Mallakastrës dhe plagosjes së dy kushërinjve të tij, Riza Fejzajt dhe Mariglen Luarit. Seanca e komunikimit të masës së sigurisë ndaj vëllezërve Gentjan dhe Artur Pashaj nga Bejari i Mallakastrës dhe ndaj Ermal Çaushajt nga Gadurova, është zhvilluar paraditen e djeshme nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që jashtë ambienteve të gjykatës kanë qenë edhe familjarë e të afërm të autorëve të dyshuar. Për shkak të rrethanave të hetimit, tre të prangosurit nuk janë shoqëruar së bashku në sallën e gjykatës, por një e nga një.

Masat e sigurisë
I pari që është përballur me provat e siguruara nga prokuroria e Fierit ka qenë 26-vjeçari Ermal Çaushaj nga Gadurova, i cili është shoqëruar për në ambientet e gjykatës rreth orës 09:30. Më pas janë shoqëruar për në gjykatë edhe vëllezërit Artur e Gentjan Pashaj. Nga burime të gazetës mësohet se prokurorja e çështjes, Elida Hoxhaj, ka shpjeguar para gjykatës të gjitha provat e siguruara gjatë hetimit paraprak ndaj tre të arrestuarve. Prokurorja Hoxhaj ka theksuar se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës rreth orës 01:00 kur vëllezërit Pashaj dhe 26-vjeçari Çaushaj kanë shkuar për të vjedhur bimët narkotike të kultivuara nga viktima Alfons Dautaj dhe kushërinjtë e tij, Riza Fejzaj e Mariglen Luari, në një parcelë të hapur prej tyre në pyllin e fshatit Ninësh, në vendin e quajtur Përroi i Zi. Sipas prokurores, sapo të arrestuarit kanë nisur të presin disa bimë narkotike, viktima dhe dy të plagosurit i kanë diktuar dhe njëri prej tyre ka dalë nga vendi ku po flinin. Në këtë moment dyshohet se Gentjan Pashaj, i cili mbante një armë zjarri tip pistoletë në dorë, i ka marrë shokut të tij Ermal Çaushajt automatikun tip Kallashnikov dhe ka shtënë në drejtim të të rinjve që ruanin bimët narkotike. Më pas, dyshohet se Gentjan Pashaj është larguar i vetëm nga vendi i ngjarjes, ndërsa Artur Pashaj dhe Ermal Çaushaj kanë ecur nëpër pyll ku kanë marrë mjaft gërvishtje në pjesë të ndryshme të trupit teksa kanë rendur mes shkurreve. Sipas prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se janë takuar në një liqen artificial dhe kanë vendosur të qëndrojnë të qetë. Ermal Çaushaj mësohet të ketë shkuar te vjehrri në Durrës, Gentjani në Sarandë, aty ku edhe jetonte prej vitesh, ndërsa Artur Pashaj ka qëndruar në fshatin Bejar, ku edhe u arrestua. Si pasojë e sulmit me armë zjarri mëngjesin e së hënës ka mbetur i vdekur në vend Alfons Dautaj dhe janë plagosur rëndë djali i hallës së tij, Mariglen Luari, dhe kushëriri i tyre, Riza Fejzaj. Ka qenë një prej të plagosurve që ka arritur të telefonojë një prej familjarëve duke u treguar për atë që kishte ndodhur. Nga hetimet paraprake dyshohet se ka qenë 26-vjeçari Çaushaj, ai i cili kishte marrë dijeni për bimët narkotike që kishin kultivuar dy të rinjtë nga Ninëshi dhe kushëriri i tyre nga Patosi, u kishte thënë vëllezërve Pashaj. Të tre së bashku dyshohet se kishin planifikuar prej kohësh që të vidhnin bimët narkotike dhe kanë vendosur ta bëjnë këtë gjë mesnatën e së dielës kur po binte shi duke shpresuar që kultivuesit të mos ishin duke e ruajtur parcelën me hashash. Pasi prokurorja Elida Hoxhaj i ka paraqitur gjyqtares Igerta Hysi të gjitha provat e siguruara gjatë hetimit paraprak ka kërkuar vlerësimin e ndalimit të tre të prangosurve si të ligjshëm dhe caktimin e masës së sigurisë arrest në burg pa afat ndaj tyre.

Deklarimet
Për shkak se tre të arrestuarit kanë mbajtur qëndrime të ndryshme mes tyre, atyre u janë komunikuar masat veç e veç, ku edhe janë pyetur nga gjykata lidhur me versionet e tyre për ngjarjet. Por, pavarësisht versioneve të ndryshme, të tre ata kanë pohuar se kanë qenë të pranishëm në parcelën me hashash në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Nga burime të gazetës mësohet se Ermal Çaushaj nuk ka pranuar që të kishte lidhje me vrasjen. Ai ka pohuar para gjykatës se kanë qenë vëllezërit Gentjan dhe Artur Pashaj të cilët i kanë thënë që të shkonte me ta për të kryer një punë dhe se në këmbim i kishin dhënë 200 mijë lekë të vjetra. Ai ka sqaruar se kur kanë shkuar te parcela me hashash ka dëgjuar të shtënat dhe është larguar me vrap e se nuk ka parë gjë se çfarë ka ndodhur aty. Ndërsa vëllezërit Artur dhe Gentjan Pashaj e kanë pranuar se kanë shkuar të vjedhin hashashin e djemve nga Ninëshi, por nuk kanë pranuar të kenë qëlluar me armë ndaj tyre. Ata kanë deklaruar se kur kanë nisur të presin bimët narkotike kanë dëgjuar të shtëna armësh zjarri dhe për këtë arsye kanë qëlluar edhe ata disa herë në ajër nga frika e janë larguar me vrap nëpër pyll.

Pasi gjyqtarja Hysa është njohur me provat e paraqitura nga organi i akuzës dhe pretendimet e tre të arrestuarve Ermal Çaushajt dhe Gentjan e Artur Pashajt ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg apa afat. Ndaj tre autorëve rëndon akuza e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim” dhe “prodhimi dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake e municionit”.

Çështja

Ermal Çaushaj
Dëshmoi se kanë qenë vëllezërit Gentjan dhe Artur Pashaj që i kanë thënë që të shkonte për të kryer një punë dhe se në këmbim i kishin dhënë 200 mijë lekë të vjetra

Vëllezërit Pashaj
Artur dhe Gentjan Pashaj e kanë pranuar se kanë shkuar të vjedhin hashashin e djemve nga Ninëshi, por nuk kanë pranuar të kenë qëlluar me armë ndaj tyre

Viktimat
Pak ditë më parë u vra Alfons Dautaj dhe u plagosën dy kushërinj të tij, Riza Fejzaj dhe Mariglen Luari. Ata po ruanin një parcelë me hashash në Ninësh të Mallakastrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat