Shqipëria në super operacionin e Europol/ 500 të arrestuar, 2.8 ton kokainë e bllokuar

Kronikë e zezë

Shqipëria në super operacionin e Europol/ 500 të arrestuar, 2.8 ton kokainë e bllokuar

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 19:27

Tirana dhe disa vende të tjera të Ballkanit kanë marrë pjesë në një operacion ndërkombëtar kundër krimit të organizuar që ka sjellë arrestimin e 500 të dyshuarve, pjesë të një rrjeti global kriminal.

Operacioni policor i cili u zhvillua ndërmjet 4 majit dhe 24 qershorit, përfshiu oficer police nga 28 vendet e Bashkimit Europian, si dhe vende partnere si Shqipëria, Maqedonia, Mal i Zi, Turqia, Kolumbia dhe të tjerë.

“Edhe një herë tjetër ne mund të themi që bashkëpunimi i suksesshëm ndërkombëtar mund të ketë një impakt mbi krimin e organizuar,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp Rob Wainwright, drejtor i Europol.

“Rrjedhoja e këtij operacioni, me më shumë se 500 të arrestuar, është një paralajmërim për kriminelët që ato nuk janë të sigurtë në asnjë vend,” shtoi ai.

Operacioni u shtri në 260 qytete në të gjithë botën, ku oficerët e Europol përdorën zyra lëvizëse, të cilat i dhanë akses të drejtpërdrejtë në bazën e sigurtë të të dhënave të agjencisë.

Gjatë operacionit u bllokuan 2.8 ton kokainë, 110 kilogramë heroinë, 390 makina dhe mbi 1300 ton metale të vjedhura.

Sipas Europol, sasitë e mëdha të drogës transportoheshin nëpërmjet kontenierëve ndërkohë që për sasitë më të vogla përdorej posta dhe korrierët.

U zbuluar që korrierët e drogës fluturonin nga Amerika Jugore në Europë me kokainë, dhe pako heroine dërgoheshin çdo ditë nga Afganistani dhe Pakistani për në Europën Perëndimore.

Fshehja e kokainës bëhej në mënyra të ndryshme, nga rrobat te këpucët por edhe në instrumente mjekësore.

“Gjatë operacionit, falë bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, disa trafikantë u arrestuan të cilët mundësonin kalimin e emigrantëve të paligjshëm në Europë,” tha Europol.

“Një bazë për emigrantët e paligjshëm u zbuluar gjithashtu në Hungari,” agjencia shtoi.

Ky aksion i fundit ndërkombëtarë kundër krimit të organizuar ndjek në hapat e operacionit Arkimedi në 2014, kur u sekuestruan 2.9 ton kokainë dhe u arrestuan më shumë se 1000 të dyshuar.

BIRN

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat