Atentati për gjakmarrje, të arrestuarit sot para gjykatës

Kronikë e zezë

Atentati për gjakmarrje, të arrestuarit sot para gjykatës

Më: 30 maj 2015 Në ora: 12:01

Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të caktojë sot masën e sigurisë “arrest me burg”, për tre të arrestuarit e masakrës së ndodhur në Tiranë, më 27 maj.

Italiani Salvatore Letizia dhe dy vëllezërit Markeljan e Klevis Doçi do të njihen sot me radhë me masën e sigurisë, ndërkohë që kërkesat për të pandehurit janë dërguar më herët.

Ata do të dalin një e nga një para gjykatës, ku për secilin prej tyre është ngritur akuza e “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim", për motive hakmarrje.

Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi dje kryerjen e ekspertizave balistike të tre pistoletave, që janë sekuestruar në vendngjarje dhe krahasimin e gjurmëve të gishtave që janë gjetur në to.

Ekspertim kompjuterik është kërkuar dhe për disa aparate telefonike që janë gjetur në vendngjarje, të cilët u përkasin autorëve të krimit dhe tre viktimave.

Shpresohet që nga ekspertimi i telefonave të përftohen mesazhe të vlefshëm, ku autorët Besnik Sulku dhe italiani Salvatore Letizia mund të kenë shkëmbyer me njëri-tjetrin për të kryer vrasjen e Lufit.

Ngjarja e rëndë u shënua shumë pranë qendrës së kryeqytetit, kur Mentor Lufi, Besnik Sulku dhe Gerti Goxhaj mbetën të vrarë. Krimi i trefishtë ndodhi ditën kur Tirana ishte e blinduar nga 1300 policë dhe dy helikopterë, për shkak të vizitës së kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat