Ja si ndodhi vrasja, Sulku e italiani u fshehen te pemët para se të vrisnin Lufin

Kronikë e zezë

Ja si ndodhi vrasja, Sulku e italiani u fshehen te pemët para se të vrisnin Lufin

Më: 29 maj 2015 Në ora: 09:42

Një ditë pas krimit të trefishtë pranë qendrës së Tiranës, Policia duket se ka plotësuar me dëshmi e prova dosjen që mbyll në qeli 3 persona të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë.

“Panorama” duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor thanë dje se pas gjetjes dhe sekuestrimit të armës së tretë që ishte përdorur në ngjarje dhe mjetit që kanë përdorur atentatorët, është bërë rindërtimi i skemës së krimit, duke u zbardhur plotësisht dinamika e ngjarjes.

Ngjarja që ndodhi të mërkurën, rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës, duket se ishte programuar prej ditësh nga Besnik Sulku, që mbeti i vrarë dhe italiani, Salvatore Letizia, tashmë i arrestuar. Megjithatë plani nuk u ka ecur siç duhet, pasi nuk kishin llogaritur makinën e dytë, me të cilin lëviznin nipat e Mentor Lufit.
Sipas Policisë, Besnik Sulku kishte përgatitur prej kohësh atentatin ndaj Mentor Lufit (Doçit). Për t’u siguruar, kishte paguar edhe një shtetas italian, që dyshohet të jetë vrasë me pagesë, 33-vjeçarin Salvatore Letizia, i cili kishte mbërritur në Tiranë ditën e martë. Sulku i kishte dhënë italianit edhe një fotografi të Lufit, që të mos ngatërrohej objektivi.

Policia thotë se të dy kishin ndjekur lëvizjet e Mentor Lufit dhe ishin në dijeni të vendit, ku ai po pinte kafe. Sulku dhe Letizia kanë udhëtuar bashkë me një motor tip “Scooter”, të cilin e kanë fshehur në një rrugicë pranë Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, me dalje në Rrugën e Barrikadave, në mënyrë që ta kishin gati për t’u larguar.

Të dy kanë lëvizur në këmbë deri para maternitetit, duke u fshehur pas pemëve në trotuarin që ndan dy korsitë e Bulevardit “Zogu i Parë”, me pistoletat që i mbanin në brez, duke pritur që Lufi të dilte nga kafja ku ishte ulur me Goxhajn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat