Rrëfimet e dëshmitarëve: Pashë një nga viktimat me gjak, tentoi të ikte me vrap nga plumbat

Kronikë e zezë

Rrëfimet e dëshmitarëve: Pashë një nga viktimat me gjak, tentoi të ikte me vrap nga plumbat

Më: 29 maj 2015 Në ora: 08:01

Në vendin ku pas diten e së mërkurës u vranë tre persona, ditën e djeshme dukej se nuk kishte ndodhur asgjë. Sikur në trotuarin ku nisi edhe shkëmbimi i zjarrit mes dy grupeve të mos ishin dy efektivë policie, të cilët rrinin aty pa lëvizur, askujt nuk do t’i shkonte në mendje se pikërisht në atë vend ishin ekzekutuar tre persona. Nuk ishte as pema e rrëzuar, as makinat, as gëzhojat e armëve, edhe trotuari ishte rregulluar. Por, dëshmitarët që panë çdo detaj të sulmit me armë, e kanë të vështirë që t’i harrojnë ato çaste. Një prej tyre është edhe roja i një prej objekteve aty pranë zonës së Stacionit të Trenit, i cili rrëfen momentin kur një nga viktimat ka tentuar t’u shpëtojë plumbave.

DËSHMITË
Roja i objektit pranë vendit të ngjarjes “Unë kam parë një person që ishte qëlluar në qafë dhe kishte gjak, vraponte për t’u ikur agresorëve dhe pasi vrapoi pak metra, ra përpara mater nitetit të vjetër. Nuk arrija t’i shikoja agresorët, por dëgjoja krismat e armëve. U fsheha pas derës, se nuk e dija nga vinin plumbat dhe pata frikë për jetën”, rrëfen roja i një prej objekteve që ndodhet pranë vendit të ngjarjes. Ai pohon se dëgjonte njërin nga autorët që bërtiste duke thënë se i kishin vrarë xhaxhain.”Dëgjoja një zë që bërtiste se i kishin vrarë xhaxhain dhe qëllonte. Ndërsa, viktimën nuk arrija të dëgjoja nëse thoshte ndonjë fjalë. Por, e pashë që kërkonte t’u shpëtonte plumbave”, sqaron dëshmitari.

KAMARIERI I LOKALIT
Në lokalin ku kanë qenëtë ulur dy viktimat e ngjarjes, Mentor Lufi (Doçi) dhe miku i tij, Gerti Goxhaj të gjithë të pranishmit nuk e kanë fiksuar tavolinën se ku kanë qenë të vendosur ata. Edhe kamarieri i lokalit sqaron se nuk i ka fiksuar personat e përfshirë në këtë atentat, pasi në lokal shkojnë shumë njerëz. “Unë nuk i kisha fiksuar viktimat, sepse në lokal vijnë shumë njerëz. Vetëm kur kam dëgjuar krismat, të cilat ishin shumë pranë lokalit, kuptuam se po ndodhte diçka. Të gjithë jemi ulur në tokë nga frika se dëgjuam krismat. Edhe unë u ula poshtë një tavoline”, shprehet kamarieri.

DËSHMITARI
Një tjetër dëshmitar ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet pranë vendit të ngjarjes dhe ai rrëfen për ‘GSH’ se e gjithë ngjarja nuk ka zgjatur më shumë se sa 12 minuta. “Kam qenë dukë pirë kafe, kur u dëgjuan krismat e para dhe aty pashë që u qëllua në drejtim të një makine dhe pas saj vinte makina tjetër, e cila hipi në trotuar që të kapte autorin. E gjithë skena nuk ka zgjatur më shumë se 12 minuta, pastaj dëgjuam sirenat e policisë, të cilët erdhën shumë shpejt në vendin e ngjarjes”, pohon një nga dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat