​Ferizaj: Policia prangos fajdexhiun

Kronikë e zezë

​Ferizaj: Policia prangos fajdexhiun

Më: 26 maj 2015 Në ora: 17:14

Një person nga Kosharja e Ferizajt është burgosur nga policia nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në veprën penale të klasifikuar si fajde.

Burime policore kanë bërë të ditur se i dyshuari Xh.H, 34-vjeç, brenda një periudhe katërvjeçare ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga qytetarët një shumë të mjeteve në vlerë prej 324 mijë eurove.

Zëdhënësi rajonal i policisë, Agim Gashi, ka bërë të ditur se policia në orët e hershme të mëngjesit të së martës ka bastisur dy lokacione të ndara në këtë fshat.

"Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Ferizaj, e mbështetur nga Njësia për Reagim të Shpejtë si dhe Njësia Rajonale e Forenzikës, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Ferizaj, me ç’rast kanë bastisur dy lokacione të ndara në fshatin Koshare të Ferizajt, pronë e të dyshuarit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘fajde’ e cila sanksionohet sipas nenit 343 të KPK-së". ka thënë Gashi.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit janë aplikuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, me ç’rast janë siguruar provat materiale.

"Gjatë kontrollit janë konfiskuar disa dokumente, notesë dhe fletore të ndryshme, si dhe një pistoletë kalibri 7.65 me 4 fishekë, të cilat do të shërbejnë si prova ndihmëse në hetimin e mëtutjeshëm të kësaj lënde. Personi i lartcekur dyshohet që gjatë periudhës kohore 2010-2014 nga qytetarë të ndryshëm ka përfituar para me fajde në vlerë prej 324.000 €", njoftoi Gashi

Mësohet se me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./B.Idrizi/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat