Rrjeti i falsifikatorëve merrte 20 mijë euro për një pasaportë italiane

Kronikë e zezë

Rrjeti i falsifikatorëve merrte 20 mijë euro për një pasaportë italiane

Më: 6 maj 2015 Në ora: 09:44

Një grup prej pesë personash rekrutonin shtetas shqiptarë që kërkonin të largoheshin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë kundrejt shumave të konsiderueshme. Paratë depozitoheshin në bankë, ndërsa klandestinët pajiseshin me pasaporta italiane false dhe instruktoheshin sesi duhet të silleshin në aeroport. Gjykata lë në burg pesë të dyshuarit.

Një grup prej pesë personash të dyshuar për rekrutimin e shtetasve shqiptarë me qëllim trafikimin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë janë lënë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Të pesë personat dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin merrnin 20 mijë euro në këmbim të dokumenteve të falsifikuara italiane me të cilat pajisnin personat që udhëtonin jashtë vendit.

Ata instruktonin klandestinët se si duhet të silleshin në aeroport, ku mjafton të dinin disa fjalë italisht për të kaluar më pas në vende të tjera të Europës, ndërsa destinacioni final ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas marrjes së këtij informacioni nga policia e Shkodrës, çështja i është përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila nëpërmjet agjentëve të infiltruar arriti të zbulojë personat e përfshirë dhe skemën që ata përdorin për trafikun e klandestinëve.

Hetimet sipas prokurorisë kanë nisur më datë 22 janar të këtij viti, kur seksioni kundër trafiqeve të paligjshme në policinë e Shkodrës ka përcjellë në Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë aktet që bëjnë fjalë për veprën penale të “trafikimit të personave të rritur”, në ngarkim të shtetases Sofije Pepaj. Bëhet fjalë për informacione të rëndësishme, të cilat dokumentojnë faktin se shtetasja Sofije Pepaj rekruton persona që duan të largohen ilegalisht nga Shqipëria drejt Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në këmbim të shumave të konsiderueshme në dollarë dhe euro mundëson dërgimin e tyre në rrugë ilegale në këto shtete.

Nga ana e punonjësit të policisë, me emrin e koduar Arbër Koreshi, por më pas i asistuar edhe nga një punonjës tjetër në mbulim, janë kryer disa takime në qytetin e Shkodrës me shtetasen Sofije Pepa. Në këto takime është rënë dakord që Sofija t’i ndihmonte për të shkuar në Amerikë. Sofia i kërkoi që për këtë punë duhet të jepnin 20 mijë dollarë secili. Paratë do lihen në një vend të sigurt nga të dyja palët dhe vetëm pas mbërritjes do bëhej pagesa.

Nisja për Amerikë do bëhej nga Italia me avion, ku do pajiseshin me një pasaportë italiane. Personat që niseshin nga Sofija duhet të dinin një italishte normale. Në mbyllje të bisedës u la që Sofija do telefononte Arbrin në telefon dhe do t’i mundësonte një takim në Tiranë me personin që e quante kryesorin për mbarimin e kësaj pune. Pas rënies dakord, më datë 22.04.2015, në qytetin e Shkodrës është depozituar një shumë prej 20 mijë eurosh në një llogari të përbashkët me shtetasen Sofije Pepaj në funksion të kësaj çështjeje.

Pasi është siguruar shuma monetare, më datë 30.04.2015, punonjësi i policisë është kontaktuar dhe është njoftuar se do të nisej më datë 01.05.2015. Në këtë datë është bërë takimi pranë vendit të quajtur “Ushtari i Panjohur” në Tiranë, midis agjentit dhe shtetasve Bajram Xhaja e Kujtim Emiri.

“Gjatë takimit i përsëritën disa herë mënyrën e udhëtimit, itinerarin që do të ndiqte, gjithashtu i treguan dokumentacionin që kishin përgatitur: pasaportë italiane, kartën e identitetit italiane, kod fiskal italian dhe patentë italiane dhe një garanci pritësi, këto të fshehura në pjesën anësore të një valixheje që do ta merrte me vete, biletën e avionit, si dhe 1 mijë e 200 euro për të prerë biletën e udhëtimit nga Italia për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – thotë prokuroria.

Gjatë kohës që po ripërsëriste për çfarë duhet të kishte kujdes gjatë kontrollit në aeroporte, rrugën që do të ndiqte, variantet e ndryshme që mund të përdorte për të arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bë kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i këtyre dy shtetasve. Më pas policia arrestoi shtetasen Sofije Pepaj në qytetin e Shkodrës dhe paralelisht shtetasin Xhelil Alla. Pas kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, policia sekuestroi laboratorin e falsifikimit të dokumenteve në dy ambiente të ndryshme në pronësi të të ndaluarve. Të pesë këta persona akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “trafik personash, kryer në bashkëpunim”.

Arrest me burg

Bajram Xhaja, i datëlindjes 1957

Kujtim Emiri, i datëlindjes 1956

Xhelil Alla, i datëlindjes 1972

Sofije Pepaj, e datëlindjes 1965

Mihal Gjoka, i datëlindjes 1959

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat