Qëlluan ndaj policisë në operacionin anti-kanabis, arrestohen 5 persona

Kronikë e zezë

Qëlluan ndaj policisë në operacionin anti-kanabis, arrestohen 5 persona

Më: 2 maj 2015 Në ora: 08:39

Policia e Gjirokastrës arrestoi pesë persona nga Lazarati, të shpallur në kërkim prej qershorit të vitit 2014, kohë kur Policia e Shtetit finalizoi me sukses operacionin anti-kanabis në Lazarat, duke asgjësuar shumë parcela të mbjella me kanabis. Të arrestuarit janë Gentian Kazma, 33 vjeç, Ramadan Basha, 31 vjeç, Arjan Basha, 47 vjeç, Gurgaz Skënderi, 24 vjeç dhe Myrteza Shemsho, 42 vjeç, të gjithë banues në fshatin Lazarat.

Këta persona mendohet se kanë qenë pjesë e “grupit të zjarrit” që iu përgjigjën me armë forcave policore. Ata u arrestuan në kuadër të op- eracionit të koduar “Spring” në fshatin Lazarat, në një aksion të përbashkët të Policisë së Gjirokastrës dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pesë personat e arrestuar dyshohet se kanë ndërtuar një grup të strukturuar kriminal, ndërsa akuzohen edhe për vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë. Gjithashtu, ndaj tyre rëndon akuza e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe kultivimit të bimëve narkotike.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në qershor 2014 ka nisur procedimin penal për sulmet me armë mbi uniformat blu. Për këta persona, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg”. Policia e Shtetit, më datë 16 qershor 2014, filloi në Lazarat, një ndër operacionet më komplekse dhe të vështira të ndërmarra ndonjëherë nga strukturat policore.

Ky operacion ishte i një rëndësie të veçantë, në kuadër të angazhimit për heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike. Konkludimi me sukses i atij operacioni pati impakt në opinionin publik, si brenda vendit, ashtu dhe në planin ndërkombëtar. Gjatë këtij operacioni në terren u angazhuan rreth 800 forca policore të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, “Delta Forcë” në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera.

Nuk munguan as forcat elitë të shërbimeve të Tiranës e Shkodrës. Në qendër të veprimeve policore gjatë gjithë kohështrirjes së këtij operacioni ishte kontrolli i territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen e asgjësimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave, të cilët kanë kryer veprime të kundërligjshme.

Krahas identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara me kanabis dhe gjetjes e asgjësimit të bimëve narkotike, një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe gjetjes e grumbullimit të armëve e municioneve luftarake. Gjatë këtij aksioni, policia ka hasur në rezistencën e armatosur të grupeve kriminale të trafikantëve. Një grup personash të armatosur qëlluan mbi efektivet e policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat