Trafikonin vajza 15-vjeçare në Itali, “Modelja” vë në pranga 3 persona

Kronikë e zezë

Trafikonin vajza 15-vjeçare në Itali, “Modelja” vë në pranga 3 persona

Më: 3 mars 2015 Në ora: 08:31

Tre persona në qytetin e Beratit janë vënë në pranga e policisë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar jashtë shtetit femra minorene të moshës 15-vjeçare.

Në pranga kanë rënë 25-vjeçarët Klajdi Çela e Besnik Tola, të dy lindur dhe banues në Poliçan të Beratit si dhe 55-vjeçari Sotiraq Dhima, banues në Korçë, i dënuar dy herë më parë, në vitin 2001 e 2004 për veprat penale ”Falsifikim dokumentesh” dhe “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Në kërkim është shpallur 48-vjeçari me inicialet L.M., lindur dhe banues në Poliçan të Beratit, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Të arrestuarit janë vënë në pranga nën operacionin e koduar “Modelja”.

Dyshohet se të sipërpërmendurit kanë rekrutuar drejt Italisë disa minorene, me premtimin se do ti bënin modele dhe më tej i trafikonin. Vajzat përzgjidheshin nga vende të thella të vendit. Ndaj 3 të arrestuarve Prokuroria për Krimet e Rënda, ka nxjerrë vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të “Trafikimit të të miturve, për shfrytëzim prostitucioni“. Po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat