Autori i vrasjes: Nuk durova batutat e të riut

Kronikë e zezë

Autori i vrasjes: Nuk durova batutat e të riut

Më: 2 mars 2015 Në ora: 16:57

Një ditë pasi vrau bashkëfshatarin 21-vjeçar dhe plagosi një tjetri, është vetëdorëzuar autori i ngjarjes që ndodhi në orët e vona të së të shtunës në fshatin Romës të Mallakastrës. Pas më shumë se 12 orë kërkimesh, kur 32-vjeçari Ëngjëll Hodaj, e ka kuptuar se nuk mund të shpëtonte nga prangat e policisë, është vetëdorëzuar duke rrëfyer krimin. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Drejtorisë së Policisë së Fierit, të cilat sqaruan se 32-vjeçari Hodaj, i akuzuar për vrasjen me armë zjarri të 21-vjeçarit Eduart Zotaj dhe plagosjen e bashkëfshatarit tjetër, 36-vjeçarit Blerim Qerimaj, është vetëdorëzuar mesditën e djeshme. Vetëdorëzimi u mundësua pas negociatave të shumta të zhvilluara edhe në bashkëpunim me familjarët e tij. Pas ngjarjes të ndodhur rreth orës 22:00 të së shtunës, i ndihmuar nga errësira dhe nga shiu, autori është larguar, duke humbur gjurmët. Ndërkohë, veç kërkimeve intensive, policia deklaroi se do të ofronte një shumë parash kundrejt informacionit të saktë për vendndodhjen e autorit.

Vrasja

Ka qenë një sherr banal që ka lindur mes të rinjve nga fshati Roms, pasi ata kishin konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli, që ka çuar në ngjarjen tragjike të ndodhur në lokalin e xhaxhait të viktimës. Nga burime të bluve mësohet se dy të rinjtë Eduart Zotaj dhe Blerim Qerimaj kanë qenë duke pirë së bashku në një tavolinë të lokalit në pronësi të M.Zotajt, xhaxhait të viktimës. Në një tavolinë tjetër ka qenë i vetëm 32-vjeçari Ëngjëll Hodaj, edhe ky duke konsumuar pije alkoolike. Fillimisht mësohet se të rinjtë kanë nisur të bëjnë shaka me njëri-tjetrin, por shakatë më pas janë kthyer në ironizime dhe Ëngjëll Hodaj është ndier i fyer. Pas kësaj ata kanë debatuar me njëri-tjetrin e më pas janë ofenduar e qëlluar me grushte. Më pas, ka ndërhyrë pronari i lokalit që ka shuar sherrin mes të rinjve dhe 32-vjeçari Hodaj është larguar. Por, pas pak minutash ai është kthyer me një armë zjarri tip pushkë dhjetëshe dhe ka qëlluar drejt Eduart Zotajt dhe Blerim Qerimajt, duke i plagosur rëndë.

Pendesa

Pasi ka shtënë ndaj bashkëfshatarëve duket se ai është penduar dhe ka lëshuar në tokë armën e zjarrit, celularin e fishekët që kishte me vete dhe është larguar me vrap. Xhaxhai i viktimës së bashku me familjarë të tjerë ka shoqëruar me njëherë për në spitalin e Fierit dy të plagosurit. Gjatë rrugës, 21-vjeçari Eduart Zotaj ka ndërruar jetë si pasojë e gjakderdhjes dhe dëmtimeve në organet jetësore, ndërsa 36-vjeçari Blerim Qerimaj i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, në fshatin Roms kanë mbërritur forca të shumta policore të cilat kanë gjetur e sekuestruar në vendngjarje një armë zjarri tip pushkë dhjetëshe me të cilën është kryer krimi, dhjetëra fishekë dhe telefonin e autorit. Nga burime të policisë mësohet se sipas personave që janë marrë në pyetje, tre të rinjtë nuk kanë pasur konflikte të mëparshme dhe se gjithçka ka ndodhur pas një zënke të çastit nën efektin e pijeve alkoolike. Edhe vetë i prangosuri mësohet të jetë shprehur se është penduar e se nuk ka pasur qëllim të kryejë diçka të tillë. Sipas burimeve, Hodaj është shprehur se pasi është grindur me bashkëfshatarët e tij ka shkuar të marrë armën, pasi ishte në gjendje të dehur dhe nuk logjikonte pastër. Ndërkaq, policia ka administruar edhe dëshmitë e personave të tjerë që ndodheshin në lokal, ndërsa janë grumbulluar të gjitha provat që e akuzojnë 32-vjeçarin për vrasjen e bashkëfshatarit të tij 21 vjeç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat