Shkatërrohet banda e heroinës, drejtohej nga një shqiptar

Kronikë e zezë

Shkatërrohet banda e heroinës, drejtohej nga një shqiptar

Më: 1 mars 2015 Në ora: 21:45

Një bandë e trafikimit të drogës, e drejtuar nga një shqiptar, është shkatërruar nga policia greke. 36-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua bashkë bashkëshorten dhe dy vajzat e tyre. Në pranga kanë rënë edhe nëntë shtetas të tjerë, me kombësi rome dhe greke.

Rezultatet e operacionit u prezantuan të dielën pasdite nga drejtori i sigurimit publik të Athinës, gjeneral brigade Panajotis Stathis. Sipas tij, shqiptari kishte përfshirë bashkëshorten dhe dy vajzat e tyre, 15 dhe 16 vjeç, që kryenin rolin e shpërndarësit me qëllim që mos të tërhiqnin vëmendjen e autoriteteve.

Vetëm muajin e fundit, rrjeti kishte trafikuar në Greqi 30 kg heroinë, vlera e të cilës përllogaritet deri në 500.000 euro. Ndërsa u sekuestruan edhe 19 kg të tjerë, me vlerë mbi 250.000 euro. Ende nuk është saktësuar se prej nga e sillte heroinën e pastër shqiptari, i cili më pas e përpunonte në një laborator që kishte krijuar në zonën Apropirgo, pranë Athinës. Droga magazinohej në Zefiri, në një banesë që ishte shndërruar në fortesë të vërtetë, me porta të blinduara, impiante alarmi dhe kamera sigurie.

Përveç sasisë së heroinës, policia ka sekuestruar 12 paketa kokainë, me peshë 773 gramë, rreth 3 kg kanabis, 4,5 kg pilula me përkatësi të panjohur, dy kallashnikovë, dy pistoleta dhe një armë gjahu, një sasi fishekësh, shumën prej 2.260 euro, si dhe pesë automjete.

Të arrestuarit janë dërguar në qelitë e paraburgimit, ndërsa policia po vazhdon hetimet rreth çështjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat