Tentohet grabitja e parave të Postës, maskat përleshen me rojet

Kronikë e zezë

Tentohet grabitja e parave të Postës, maskat përleshen me rojet

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 08:56

Dy roje private përfunduan në spital pas tentativës së grabitjes së Postës në Durrës. Ngjarja ndodhi dje në lagjen Nr 6, në momentin kur mjeti i postës po kryente procedurat për derdhjen e parave në arkë. Dy persona të maskuar sulmuan rojet private, të cilët bënë rezistencë dhe për pasojë mbetën të plagosur. Burime nga policia thanë se grabitësit do të sulmonin furgonin e postës, i cili po sillte paratë në godinë që do të përdoreshin për pensionet e të moshuarve në Durrës. Në kohën kur dy punonjësit e sigurisë zbritën nga furgoni u sulmuan nga autorët, të cilët kërkuan të dorëzojnë dy thasët ku ndodheshin rreth 10 milionë lekë të reja.

“Nuk pamë asnjë njeri dhe nxorëm sasinë e lekëve që çojnë tek posta tre, shumën nuk e di asnjëri nga ne. Në atë moment po shoqëroja lekët dhe po mbushja armën. Del me maskë një person i armatosur me pistoletë dhe më kërcënoi të hidhja armën. Unë i thashë se nuk e hedh armën, por ai më kërkoi të shtrihesha. Pas tij erdhi edhe një autori i dytë me pistoletë, por nuk morën gjë pasi ne i kishin marrë masat. Ata morën disa letra pa vlerë dhe pasi i panë i hodhën prapë në tokë. Ne shtimë dy herë në ajër për t’i trembur” u shpreh njëri prej rojeve të dëmtuar pasi u godit me qytë pistolete në kokë nga grabitësit.

Autorët u larguan me shpejtësi duke u shpëtuar prangave, ndërsa policia mbërriti në vendngjarje për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se kamerat e sigurisë së bizneseve përreth kanë mundur të regjistrojnë ngjarjen dhe pritet që të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj tentative grabitjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat