Pas goditjes nga ekskavatori, vdes 57 vjeçari

Kronikë e zezë

Pas goditjes nga ekskavatori, vdes 57 vjeçari

Nga: P.Rudi Më: 30 janar 2015 Në ora: 15:53

Ka humbur jetën Sh.L, 57 vjeç, puntor në fabrikën e reciklimit të mbeturinave “Gekkos” nga goditja e ekskavatorit.

Policia ka konfirmuar se viktima në momentin e aksidentit ishte duke e ndihmuar të dyshuarin A. F, 37 vjeç, për ta ndezur ekskavatorin me anë të kabllove përçuese nga kamioni.

Duke iu referuar rastit, zëdhënësi rajonal i policisë Agim Gashi ka bërë të ditur se deri te aksidenti ka ardhur kur për një moment ekskavatori ka lëvizur duke e goditur dhe shtypur viktimën.

"Rreth orës 08:30 minuta, në Shërbimin e Urgjencës në Ferizaj, është sjellë një person me lëndime trupore. Pas ekzaminimeve të bëra në këtë shërbim, mjeku ka konstatuar vdekjen e tij," ka thënë Gashi, për Bota sot.

Policia ka bërë të ditur se kjo vepër është klasifikuar si rrezikim i sigurisë në vendin e punës dhe sanksionohet sipas Nenit 367 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas urdhëresës së prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt gjyqësore.

Është bërë e ditur se lidhur me rastin, është njoftuar prokurori, i cili ka autorizuar hetuesit rajonal që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat