Korçë, ndihmonin ilegalët të kalonin kufirin, pranga policit dhe 50 vjeçarit

Kronikë e zezë

Korçë, ndihmonin ilegalët të kalonin kufirin, pranga policit dhe 50 vjeçarit

Më: 29 janar 2015 Në ora: 17:48

Policia e Korçës ka vënë në pranga ditën e sotme dy persona, mes të cilëve një oficer policie, pasi akuzohen se kanë ndihmuar persona me probleme në sistemin e lëvizjes së lirë Shengen, të kalojnë kufirin përmes doganës së Kapshticës.

Në prangat e policisë kanë rënë Martin Arëza 28 vjeç banues në Korçë, me detyrë oficer policie në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë dhe Ndihmëspecialist për Rendin dhe Sigurinë Publike, si dhe Adriano Koçoli, 50 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tyre është bërë i mundur nga Seksioni për Trafikun e Paligjshëm në Drejtorinë e Policisë Korçë në bashkëpunim dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Korçë, në kuadër të finalizimit me sukses të operacionit të koduar “Apellas”.

Sipas policisë, arrestimi i tyre është bërë pasi ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt shpërblimit nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, persona të ndryshëm me probleme në sistemin Shengen të lëvizjes së lirë dhe në rastin e oficerit Martin Arëza duke përpiluar dokumente të falsifikuara në sajë të detyrës së tij.

Materialet procedurale ndaj tyre i kanë kaluar Prokurorisë për procedime të mëtejshme për veprën penale të "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat