Kokaina, Ilir Hyseni: S'i njoh anëtarët e grupit, në laborator për punë personale

Kronikë e zezë

Kokaina, Ilir Hyseni: S'i njoh anëtarët e grupit, në laborator për punë personale

Më: 29 janar 2015 Në ora: 07:53

Ilir Hyseni, i cilësuar si njeriu kyç në grupin e personave të goditur si përgjegjës të rrjetit ndërkombëtar të kokainës me bazë në Xibrakë të Elbasanit, ka folur për herë të parë para grupit hetimor. Burime nga prokuroria thanë dje për gazetën se Hyseni ka mohuar njohjet me tetë të arrestuarit e tjerë më 14 janar 2015, të dyshuar si të përfshirë në trafikut ndërkombëtar të drogës. Megjithëse u kap në ambientet e laboratorit të përpunimit të kokainës në ish-magazinat e rezervave të shtetit në Xibrakë, së bashku me disa persona të tjerë, Hyseni ka deklaruar se nuk kishte lidhje me ta dhe se në vendin ku u arrestua ishte për disa punë të tijat.“Kisha punët e mia në vendin ku u kapa nga policia. Nuk kam lidhje me trafikun e kokainës. Nuk i njoh personat e tjerë të arrestuar. Me ta nuk më lidh asgjë”,- mësohet të ketë thënë para grupit hetimor, Ilir Hyseni.

Burime nga organi i akuzës thanë se ai nuk ka pranuar të japë komente mbi provat e prokurorisë të cilat e përfshijnë atë në këtë rrjet të trafikut të drogës. “Kur u pyet për arsyet e pranisë së tij në ambientet e laboratorit në momentin që u kap, Hyseni deklaroi se kishte disa punë të tij duke mos pranuar të jepte komente të tjera. Më tej ai u pyet për lidhjet me secilin nga tetë të arrestuarit por mohoi se kishte njohje me ta. Ai u përgjigj se nuk kishte biseduar me asnjërin prej tyre dhe se nuk ua dinte as emrat. Hyseni nuk ka dhënë komente as për shumë pyetje të tjera të shoqëruara me prova të cilët e kryqëzonin atë” thanë burimet policore. Mësohet se 47- vjeçari ka mohuar edhe njohjen me Pranvera Ebeling, për të cilën prokuroria gjermane ngriti dyshime se është bashkëpunëtorja e tij në trafikun e drogës. Këto pretendime mohuese, Hyseni i ka ngritur, kur është pyetur nga Prokuroria, pavarësisht se ndaj tij organi i akuzës ka prova si pamje filmike, përgjime, apo edhe të dhëna dhe prova të tjera. Kështu përgjimet dhe bisedat me të akuzuarit e tjerë që posedon prokuroria, Hyseni nuk i ka pranuar. Po kështu edhe faktin se njihet edhe me Pranvera Ebelingun, gruan që cilësohet si e dashura e tij, me banim në Gjermani. Ndërkohë që një ditë para skadimit të afateve të apelimit të masës së sigurisë “arrest me burg”, avokati mbrojtës i Hysenit, ka vendosur të mos i drejtohet gjykatës me kërkesë për zëvendësim mase. Duket se Ilir Hyseni ka pranuar arrestimin e tij në flagrancë në laboratorin e përpunimit të kokainës. Hyseni ishte personi i parë i dyshuar i cili u identifikua si i përfshirë në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ai u zbulua nga prokuroria gjermane e cila njoftoi homologët shqiptarë që ta mbanin atë në vëzhgim.

Në marsin e vitit të kaluar Prokuroria e Hanoverit nisi hetimet për zbardhjen e një rrjeti ndërkombëtar trafiku lëndësh narkotike, që cilësohej përgjegjës për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut për në Evropë. Hetuesit gjermanë thanë se ishin dy persona shqiptarë në Gjermani, të cilët ngjallën dyshime të parët që hetimet të përqendrohen në Shqipëri. Bëhej fjalë për Ilir Hysenin dhe të dashurën e tij Pranvera Ebeling (Aga) të cilët jetonin në Gjermani. Kështu në vjeshtën e vitit 2014, u kërkua ndihma e organeve hetuese shqiptare për të vijuar punën me qëllim zbulimin e këtij rrjeti. Hyseni u përgjua dhe vëzhgua nga policia nga mesi i muajit dhjetor deri më 14 janar, kur dhe u arrestua së bashku me tetë persona të tjerë. Këta të fundit u zbuluan në sajë të përgjimeve të Hysenit dhe u arrestuan paralelisht, shumica pranë laboratorit të përpunimit të kokainës në ish-magazinat e rezervave të shtetit në fshatin Xibrakë të Elbasan, buzë rrugës kombëtare Elbasan- Librazhd. Mes të arrestuarve janë edhe dy kolumbianë, të cilët deklaruan se ishin punësuar vetëm për të kryer procesin e përpunimit të kokainës në laborator. Çezar Avila (Çezar Avila) dhe Valter Moreno (Ëalther Moreno) kanë hyrë në Shqipëri më 8 nëntor nga Greqia. Kështu prej dy ditësh zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit u janë drejtuar autoriteteve greke, për të kërkuar informacion të detajuar për hyrje daljet e shtetasve kolumbianë. Drejt Selanikut në Greqi kanë shkuar zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako bashkë me drejtorin e krimit të organizuar dhe atë të antitrafikut për t’u njohur me lëvizjet e kolumbianëve dhe bashkëpunëtorëve në shtetin fqinjë. Dy kolumbianët e arrestuar në Shqipëri dyshohet se kanë bashkëpunëtorët e tyre në Greqi, ku njëri prej të dyshuarve i identifikuar tashmë nga policia ka hyrë brenda territorit shqiptar disa herë. Hyrja e tij e fundit rezulton me datë 8 nëntor, ditën kur në territorin shqiptar kanë hyrë edhe dy kolumbianët e arrestuar dhe disa ditë më pas është kthyer përsëri në Greqi. Përveç këtij emrit tashmë të identifikuar, policia dyshon se edhe “Carlosi” i identifikuar nga të arrestuarit jeton dhe banon në Greqi ndaj dhe drejtuesit e dikasterit blu kërkojnë nga homologët në Selanik mbledhjen e informacioneve për rrjetin e tyre.

Akuza në pritje të akt-ekspertimeve

Prokuroria për Krimet e Rënda e cila po heton mbi trafikun ndërkombëtar të kokainës vazhdon të jetë në pritje të përgjigjeve të akt-ekspertimeve të lëndëve të gjetura në laboratorin që ky grup kishte ngritur në Xibrakë të Elbasanit për përpunimin e kokainës. Këto përgjigje, priten edhe nga autoritet gjermane, të cilët kanë marrë mostra të pluhurit dhe lëndëve të tjera të gjetura në laboratorin e Xibrakës. Hetimet për këtë rrjet po zhvillohen edhe nga Prokuroria e Hanoverit e cila dha shkas për nisjen e hetimit në Shqipëri, për veprimtarinë e këtij grupi kriminal. Pas operacionit të zhvilluar më 14 janar 2015 kur u zbulua laboratori i përpunimit të drogës dhe u arrestuan tetë persona, në Shqipëri mbërriti një prokuror i Hanoverit për të qenë pranë hetimeve. Burime nga prokuroria bënë të ditur se grupi hetimor ka përpiluar një listë me emrat e rreth 70 personave të cilët do të pyeten për të dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me veprimtarinë e nëntë të arrestuarve. Këta të fundit aktualisht ndodhen në qelitë e paraburgimeve pasi Gjykata dha në ngarkim të tyre masën e sigurisë “arrest me burg’. Ata dyshohet se janë të implikuar në trafikun ndërkombëtar të drogës ndërsa janë fotografuar e filmuar duke hyrë në ambientet e laboratorit të përpunimit të kokainës në Xibrakë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat