Rrihet barbarisht e reja, dështon përdhunimi

Kronikë e zezë

Rrihet barbarisht e reja, dështon përdhunimi

Më: 27 janar 2015 Në ora: 09:24

Një grua 25-vjeçare dhe e martuar dhe me dy fëmijë është rrahur barbarisht nga dy djem të cilët tentuan ta përdhunonin. Ngjarja ndodhi dy netë më parë pranë zonës së Yzberishtit në Tiranë, kur 25-vjeçares me iniciale M.P, dy persona të moshës 23 vjeçare që dyshohet se njiheshin me të, i kanë zënë rrugën dhe e futën me forcë në makinën e tyre, ku tentuan ta përdhunonin.

Burime nga policia thanë për gazetën se nëna e re është përleshur me dy agresorët të cilët pasi e dhunuan e kanë hedhur në rrugë duke e përplasur aty, por pa mundur të kryejnë me të marrëdhënie seksuale. Në gjendje të rëndë psikologjike dhe me shenja dhune në trup, gruaja me inicialet M.P, ka shkuar në Spitalin Ushtarak, nga ku sipas burimeve telefonoi menjëherë policinë. Blutë e komisariatit nr.6, u vunë në lëvizje duke rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar. Ata janë ndjekur nga forcat e policisë të cilët bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e të dyshuarve në zonën e Kombinatit.

Burimet thanë se të dyshuarit janë Ardi Hyka dhe Denis Uka, të dy të moshës 23 vjeç. Këta të fundit u arrestuan dje megjithëse nuk pranuan autorësinë e ngjarjes, ndërsa akuzohen për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura e mbetur në tentativë dhe në bashkëpunim si dhe për kundërshtim të forcave të policisë.

Ngjarja

Të dielën në mesditë, 25-vjeçarja M.P, kishte shkuar tek prindërit në Bathore të Tiranës ndërsa dy fëmijët e mitur i kishte lënë me bashkëshortin në shtëpinë e saj në Yzberisht. Pasi qëndroi disa orë tek prindërit, gruaja e re u nis në mbrëmje drejt banesës së saj në Yzberisht. Teksa kthehej e vetme në këmbë, në një rrugice “qorre” pranë Yzberishtit i kanë dalë përpara dy djem. Ata i kanë kërkuar që ajo të futet në makinën e tyre, por 25-vjeçarja nuk ka pranuar. Duke përdorur forcën, djemtë e kanë futur nënën e dy fëmijëve në makinë ku dyshohet se kanë tentuar ta përdhunojnë.

Burime nga policia thanë për “Shekullin” se M.P, ka bërë rezistencë, por është rrahur barbarisht nga agresorët. “Ata e kanë goditur me grushte dhe sende të forta brenda në makinë. E dëmtuara ka bërë rezistencë për rreth 15 minuta dhe gjatë kësaj kohe ajo u dhunua prej autorëve të cilët më pas e kanë hedhur nga makina” thanë burimet policore. Mësohet se 25-vjeçarja menjëherë sapo ka mundur të shpëtojë nga duart e dy djemve njoftoi policinë dhe bashkëshortin e saj.

Ajo u transportua drejt Spitalit Ushtarak, ku ndodhet e shtruar në repartin e kirurgjisë. Mjekët e spitalit bënë të ditur se M.P, ka marrë dëmtime në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. “Më kanë rrahur dy djem dhe kam shumë dhimbje koke” mësohet t’u ketë thënë e dëmtuara mjekëve, ndërsa tek koka i qëndron bashkëshorti i cili nga ana tjetër i ka kërkuar forcave të policisë të zbardhin ngjarjen.

Arrestimi

Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të njoftuar për ngjarjen u vunë menjëherë në lëvizje për kapjen e autorëve të dyshuar. “Në bazë të dhënave të siguruara nga e dëmtuara u bë i mundur identifikimi i mjetit me të cilën udhëtonin agresorët. Policia u vu në ndjekje të makinës por u përball me kundërshtimin e të dyshuarve. Ata jo vetëm që nuk pranuan të ndalonin por u përpoqën të largoheshin me shpejtësi duke vënë në rrezik jetën e efektivëve të policisë dhe kalimtarëve” thanë burimet policore të cilat shtuan se kapja e tyre u bë e mundur pranë zonës së quajtur “Fabrika e Qelqit” në Kombinat, Tiranë.

Forca të shumta policie rrethuan zonën duke bërë të pamundur largimin e mëtejshëm të autorëve të dyshuar. Gjatë arrestimit këta të fundit bënë rezistencë duke goditur forcat e policisë. Ata u izoluan në ambientet e komisariatit të policisë nr.6, ku dhe u morën në pyetje ndërsa e dëmtuara së bashku me bashkëshortin e saj denoncuan ngjarjen. Nëna e dy fëmijëve u mor në pyetje nga oficerët e policisë ku deklaroi se ishte rrahur barbarisht nga dy djem të cilët i ndërprenë rrugën teksa kthehej nga Bathorja ku kishte qenë për vizitë tek prindërit e saj. Ajo i tha policisë se ata donin ta përdhunonin, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi bëri rezistencë.

“Pritet ekspertiza e mjekësisë-ligjore për të vërtetuar nëse 25-vjeçarja është përdhunuar. Megjithatë ajo është dhunuar nga dy djemtë dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spital pasi ka marrë plagë të rënda në kokë” thanë për burimet policore. Nga ana tjetër të dyshuarit, Ardi Hyka dhe Denis Uka kanë mohuar ngjarjen duke deklaruar se nuk kanë rrahur apo tentuar për të përdhunuar asnjë femër.

“Në banojmë në fshatin Lalm të Vaqarit dhe jemi shokë me njëritjetrin. Dolëm së bashku për të pirë një kafe dhe po ktheheshim drejt banesës, kur na u vu në ndjekje policia. Menduam se kaluam semaforin me të kuqe dhe nuk iu bindëm policisë për të shpëtuar nga ndonjë gjobë dhe jo për të fshehur ndonjë ngjarje”,- mësohet se kanë deklaruar në polici dy të dyshuarit. Ndërkohë policia tha se ndaj tyre ka prova të mjaftueshme të cilët i implikon në këtë ngjarje ndaj dhe u arrestuan.

Dyshimet

Policia dyshon se të arrestuarit dhe e dëmtuara njihen me njëri-tjetrin edhe pse një fakt i tillë ende nuk është konfirmuar. “Megjithëse të dyshuarit nuk pranojnë autorësinë e ngjarjes ndërsa e dëmtuara deklaroi se dy të panjohur i dolën në rrugë dhe tentuan ta përdhunonin duke e rrahur barbarisht, policia dyshon se palët njiheshin më parë.

Dyshohet se ata kanë pasur dijeni se ajo po kthehej nga Bathorja drejt Yzberishtit si dhe për itinerarin që ajo do të përshkonte duke i dalë në rrugë” thanë burimet policore duke shtuar se ngjarja është ende nën hetim dhe po punohet për zbardhjen e plotë të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat