Kokaina, prokuroria eksperiment hetimor me dy kolumbianët

Kronikë e zezë

Kokaina, prokuroria eksperiment hetimor me dy kolumbianët

Më: 26 janar 2015 Në ora: 09:17

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe oficerët e Policisë së Shtetit që po punojnë për zbardhjen e linjës së trafikut të kokainës, pritet të përgatisin realizimin e një eksperimenti hetimor gjatë ditëve në vazhdim për të përcaktuar disa paqartësi të tyre dhe për të fituar më shumë detaje rreth kësaj historie. Një fakt i tillë është konfirmuar për “Shekullin”, nga burime të grupit hetimor që hetojnë linjën së trafikut të kokainës, e drejtuar nga Ilir Hyseni, Ermal Hoxha, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi dhe persona të tjerë të arrestuar si të përfshirë në laboratorin e Xibrakës, mes të cilëve edhe dy kolumbianët, Çezar Avila (Cesar Avila) dhe Valter Moreno (Walther Moreno). Pikërisht dy kolumbianët mund të jenë pjesë e eksperimentit hetimor që pritet të realizohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në ditët e ardhshme në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Shtetit dhe ekspertët kriminalistë të kësaj të fundit. Sipas burimeve hetuesit pritet të angazhojnë në këtë proces hetimor një grup ekspertësh kriminalistë dhe kimistë të Institutit të Policisë Shkencore. Kjo me qëllim identifikimin e mënyrë se si realizohej procesi i ekstraktimit të kokainës nga lënda nëpërmjet së cilës ajo ishte sjellë nga Kolumbia apo Bolivia, në një itinerar të gjatë rruge, duke përfunduar në Shqipëri.

Pas procesit të ekstraktimit, apo të ndarjes së kokainës nga lënda në të cilën ishte sjellë në Shqipëri, ajo përzihej me lëndë tjetër e posaçme për këtë qëllim dhe pasi ambalazhohej dhe futej në vende të posaçme në automjete për t’u trafikuar në Gjermani. Pikërisht një gjë të tillë synojnë të kuptojnë edhe hetuesit të cilët duan të dinë fillimisht se në çfarë forme ka mbërritur kokaina nga Amerika Latine në Shqipëri. Kjo pasi deri më sot është ende e paqartë mënyra se si ka hyrë kokaina në Shqipëri, pasi dyshimet e hetuesve janë se ajo mund të ketë hyrë në forma të ndryshme, që nga ajo e shkrirë në rroba fëmijësh, e deri tek ajo në formë të lëngët. Më tej hetuesit duan të mësojnë edhe procesin e përzierjes që kryhej nga dy kolumbianët Avila dhe Moreno. Për realizimin e këtij, eksperimenti hetimor Prokuroria e Krimeve të Rënda, pritet të thërrasë në bashkëpunim dy kolumbianët. Këta të fundit nëse pranojnë të jenë pjesë e këtij procesi hetimor, në këtë fazë të hetimit, parashikohet të merren në cilësinë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Kjo do të orientonte hetuesit në shumë drejtime, qoftë në zbardhjen e plotë të rrjetit, por edhe në zbardhjen e plotë të mekanizmit të importit të kokainës. Hetuesit thonë se pritet t’iu ofrojnë dy kolumbianëve bashkëpunim me qëllim zbulimin e këtij mekanizmi.

Hetuesit thonë se tashmë laboratori i drogës në Xibrakë, është i mbyllur dhe se gjithçka është në gjendjen që është gjetur laboratori në momentet e para, mund të kryhet më me lehtësi eksperimenti hetimor. Kolumbianëve pritet t’iu ofrohen gjithçka që atyre iu nevojitet për të kryer një proces ekstraktimi nëse ata pranojnë. Por burimet thonë se bashkëpunimi se për këtë eksperiment hetimor, pritet të mos jetë i vetmi i mundshëm në këtë dosje. Hetuesit pohojnë se nëse dy kolumbianët pranojnë të bashkëpunojmë me organet e drejtësisë në cilësinë e të penduarve, atëherë ata do të përfitojnë një sërë favoresh që rrjedhin nga bashkëpunimi me organet e drejtësisë. Por për hetuesit mbetet ende e paqartë dhe e paplotë skema se si ka funksionuar grupi i personave të përfshirë në rrjetin e trafikut të kokainës Amerika Latine në Shqipëri dhe më pas nga Shqipëria në Gjermani. Pikërisht për këtë shkak, hetuesit synojnë të afrojnë në bashkëpunim dy kolumbianët e arrestuar si pjesë e trafikut të drogës dhe nëse kjo ndodhte për hetuesit kjo supozohet të jetë një avantazh i madh. Këta të fundit supozohet se ishin edhe njerëzit kryesorë në përpunimin e lëndës narkotike, pasi njihnin mirë proceset e përzierjes dhe të ekstraktimit të kokainës nga lënda në të cilën ajo ishte shkrirë. Në bashkëpunim mësohet se janë ftuar edhe persona të tjerë të arrestuar, ndër të cilët Ilir Hyseni, i cili gjithashtu në këtë situatë rrezikon shumë. Kjo për shkak se ai është i kërkuar në Kanada, po për veprën penale të trafikut të kokainës, ndërsa ai ka një dënim të rëndë penal atje. Nëse Hyseni pranon të bashkëpunojë, ai mund të përfitojë disa favore në këtë situatë, ndër të cilat mund të jetë edhe një marrëveshje e mundshme me Prokurorinë për të mos u ekstraduar në Kanada, apo një marrëveshje që mund t’i lehtësojë mjaft atij dënimin penal.

Kolumbianët janë të vetmit persona të arrestuar dhe të akuzuar si pjesë e kësaj linje të trafikut të kokainës që u godit nga prokuroria dhe policia me 14 janar të këtij viti, pas një hetimi rreth një mujor të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia. Pas arrestimit të 11 personave, dy prej të cilëve u lanë të lirë, prokuroria mori në pyetje të dyshuarit si dhe njerëz të tjerë dyshuar si të përfshirë apo që kanë dijeni. Në këtë moment, të vetmit që pranuan të flasin ishin kolumbianët. Ata thanë se ishin paguar me 9 mijë euro, ndërsa ishin sjellë në Shqipëri, pasi kishin njohur një kolumbian që i kishte takuar me një person të identifikuar me emrin Karlos. Për këtë të fundit kolumbianët kanë thënë se ai ishte në laborator ditën e operacionit. Pikërisht për këtë shkak, hetuesit dyshojnë se ai është dyshojnë se ai është Genci Xhixha. Ky fakt sipas hetuesve bazohet në përshkimin e kolumbianëve, por edhe në dyshimet e hetuesve, pasi ai rezulton se ka hyrë në Shqipëri dy ditë përpara operacionit, por ditën e goditjes së grupit, ai nuk u kap. Duke qenë se kolumbianët janë të vetmit që kanë folur hetuesit shpresojnë që ata të “thyhen” më tepër dhe të japin më tepër detaje për laboratorin, itinerarin e kokainës, formën e futjes në Shqipëri dhe detaje të tjera për rrjetin se si funksiononte dhe personat e tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet. Për këtë shkak atyre iu është kërkuar që të identifikojnë “Karlosin”, nëpërmjet disa fotove që do t’iu afrohen dhe të cilat mendohet të jenë të Genci Xhixhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat