Ngacmoi seksualisht kunatën, dënohet me një vit burg

Kronikë e zezë

Ngacmoi seksualisht kunatën, dënohet me një vit burg

Më: 26 janar 2015 Në ora: 08:48

Gjykata e Tiranës, dënoi një person të akuzuar për ngacmimin seksual të kunatës së tij, ndërsa ai ishte denoncuar nga kunata e tij për veprimet e pahijshme. Fatmir Bardhi u dënua për veprën penale të “ngacmimit seksual” dhe për këtë shkak ndaj tij gjykata dha masën e dënimit me një vit burgim. Në 23 shtator 2014, denoncuesja M. C, u paraqit pranë komisariatit te policisë numër tre në Tiranë, e cila ka kallëzuar se ajo duke banuar në të njëjtën banesë me bashkëshortin dhe djalin e saj, si edhe kunatin (vëllain e bashkëshortit) të pandehurin Fatmir Bardhi, ajo në mënyrë të përsëritur është ndjerë e prekur në dinjitet dhe e poshtëruar njëkohësisht, prej veprimeve te tij të turpshme dhe ngacmuese seksualisht.

Sipas kallëzueses, ajo ka qenë në banesë me djalin e saj, në tualet, kur ajo po kujdesej për higjienën e djalit, sapo ka dalë nga tualeti ka parë në korridor të pandehurin, i cili i kishte hequr te gjitha veshjet dhe ashtu në gjendje të dehur, ai kryente veprime provokative të turpshme me natyrë seksuale në prezencë të saj dhe të djalit të mitur. Po kështu, sipas kallëzueses, i pandehuri veprimet si me sipër i shoqëronte edhe me një fjalor jo të hijshëm dhe të turpshëm. Sipas te dëmtuarës, një rast të ngjashëm sjelljeje i pandehuri ka kryer ndaj saj edhe më parë, ndonëse nuk rezulton që ajo të ketë paraqitur për këtë rast kallëzim penal. Pas denoncimit në polici, prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj të pandehurit Fatmir Bardhi duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale të “ngacmimit seksual”, parashikuar nga neni 108/a/1 i Kodit Penal, ndërsa në fund të procesit gjyqësor, gjykata vlerësoi se fajësia e të pandehurit ishte e provuar. I pyetur nga gjykata lidhur me ngjarjen, i pandehuri Fatmir Bardhi pranoi akuzën, duke pohuar se ai e ka kryer veprën penale nën ndikimin e alkoolit dhe se ishte i penduar dhe se i kërkonte falje të dëmtuarës dhe familjarëve të saj.

Duke pranuar autorësinë rreth veprës penale për të cilën akuzohet, i pandehuri Fatmir Bardhi, nëpërmjet mbrojtjes së tij, i ka kërkuar gjykatës procedimin e tij me gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua nga gjykata. Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Muharrem Bardhi për kryerjen e veprës penale të “Ngacmimit seksual”, dënoi atë me një vit burgim. Duke qenë se çështja në ngarkim të këtij të pandehuri është proceduar me gjykim të shkurtuar, pas uljes së dënimit me një e treta i pandehuri Fatmir Bardhi dënohet me një dënim përfundimtar prej tetë muaj burgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat