Furnizonin ishullin me kokainë, i rezistojnë policisë, në fund dorëzohen

Kronikë e zezë

Furnizonin ishullin me kokainë, i rezistojnë policisë, në fund dorëzohen

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 15:46

Policia greke ka arrestuar tre shtetas shqiptar në një ishull, pasi u kapën me një sasi të madhe lënde narkotike.

Tre shqiptarët, 24, 33 dhe 35 vjeç, janë arrestuar dy ditë më parë në ishullin e Rodosi nga Departamenti i Narkotikëve.

Identiteti i tyre është mbajtur i fshehur nga policia greke, por mësohet se ata ishin pjesë e një strukture të organizuar kriminale.

Ata akuzohen për veprën penale të pjesëmarrjes në një organizatë kriminale, trafikimin dhe tregtimin e paligjshëm të drogave të forta, pastrim parash, qëndrim të paligjshëm në shtetin helen dhe rezistencë ndaj autoriteteve policore.

Policia ka shpallur në kërkim edhe dy shtetas grekë të moshë 29 dhe 33 vjeç, të cilët akuzohen për blerjen e drogës.

Tre shtetasit shqiptarë ishin nën vëzhgim që nga muaji korrik, dhe nga hetimet ka rezultuar se ata vepronin si një grup i mirëorganizuar. 35-vjeçari ishte koka i grupit të trafikantëve, që shpërndanin dhe furnizonin me kokainë disa ndër pikat kryesore të ishullit. Sipas policisë, ata siguronin të ardhura të mëdha nga biznesi i jashtëligjshëm.

Në formën e provave materiale, policia helene ka sekuestruar 177.7 gramë kokainë e ndarë në 45 qese plastike, 2 telefona celularë dhe 4 mijë euro.

33-vjeçari i ka bërë rezistencë policisë gjatë momentit të arrestimit, madje për pak sa nuk ia ka dalë të arratiset. Për më tepër, ai qëndronte pa leje dhe asnjë lloj dokumenti me vete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat