Shpërdoroi detyrën, i hiqet arresti me burg kreut të komunës

Kronikë e zezë

Shpërdoroi detyrën, i hiqet arresti me burg kreut të komunës

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 15:30

Kreut të komunës Gruemirë në Shkodër, Lirim Nehanaj, i akuzuar për shpërdorim detyre, i është hequr masa e arrestit me burg nga Gjykata e Shkodrës.

Gjykata e ka ndryshuar masën në detyrim paraqitje për Nehanaj, i cili së bashku me shtetasin Asim Burgaj, ish-kryeregjistrues i ZVRPP Shkodër dhe shtetasin Rruzhdi Handraj, inspektor në Drejtorinë e Administrimit të Tokave, Qarku Shkodër, janë arrestuar pasi akuzohen për shpërdorim detyre gjatë ndarjes së tokave.

Sipas prokurorisë së Shkodrës katër zyrtarët kanë shkelur procedurat e ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, duke mos respektuar procedurat që duhet të ndiqen në dhënien në përdorim, madje në disa raste duke kryer edhe falsifikim të dokumenteve.

Hetimet dhe më pas arrestimi i tyre erdhi pas disa konflikteve mes banorëve të zonës për parcelat që kishin marrë në zotërim.

Pas shqyrtimit të provave, akuza i kërkoi Gjykatës së Shkodrës që të jepte ndaj zyrtarëve në fjalë masën e arrestit me burg.

Prokuroria e qytetit verior pretendon gjithashtu se komuna Gruemirë ka lëshuar dokumente për marrjen në përdorim të tokës, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat që parashikohen sipas ligjit 7501. Kjo është bërë duke falsifikuar certifikatat e pronësisë dhe një sërë dokumentesh të tjera.

Në anën tjetër zyra e administrimit të pronave në këshillin e qarkut i ka quajtur të ligjshme të gjitha veprimet e komunës.

Sa i përket Zyrës së Regjistrimit të Pronave, kjo e fundit në mungesë të respektimit të procedurës ka bërë kalimin në përdorim dhe më pas të pronësisë të tokave duke shkaktuar kështu mbi vendosje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat