Suspendohen tre oficerë të doganës së Vërmicës

Kronikë e zezë

Suspendohen tre oficerë të doganës së Vërmicës

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 17:05

Drejtori i përgjithshëm i Doganës se Kosovës ka suspenduar tre oficerë doganorë nga pikëkalimi kufitar i Vërmicës, për shkak se i kanë mundësuar një importuesi futjen ilegale të mallrave.

“Pas dyshimeve fillestare se ka ardhur deri tek futja ilegale e një sasie të mallrave në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, njësitet e doganës për standarde dhe inspektim kanë filluar hetimet administrative lidhur me përgjegjësinë disiplinore të oficereve doganorë. Dyshimet kanë qenë se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë dështuar të veprojnë konform rregullave të punës, respektivisht kanë dështuar që të parandalojnë futjen në mënyrë ilegale përmes PKK Vërmicë të një sasie të mallit pa përmbushur detyrimet importuese, në dobi të një importuesi”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.

Gjatë fazës hetimore preliminare janë siguruar dëshmi të cilat inkriminojnë oficerët në dështimin për të ushtruar autorizimet e tyre ligjore gjatë kontrollit të mjetit transportues që bartte mallra komerciale.

Duke marrë parasysh rrethana e rastit, drejtori i përgjegjshëm ka suspenduar tre oficerë.

Ky rast, thuhet në komunikatë, qartazi tregon përkushtimin e Doganës së Kosovës për të luftuar dukuritë negative.

Rezultat i kësaj është se deri tani, që nga fillimi i vitit, janë suspenduar 17 oficerë doganor.

Dogana fton qytetarët që të ndihmojnë në luftimin e kontrabandës dhe korrupsionit, duke thirrur në telefonat pa pagesë 0800 50 095

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat