Vidhte bagëti çdo të mërkurë, kapet ‘mat’ nga banorët e fshatit

Kronikë e zezë

Vidhte bagëti çdo të mërkurë, kapet ‘mat’ nga banorët e fshatit

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 08:14

Policia e Fierit ka arrestuar ditën e djeshme një 55-vjeçar, pasi akuzohet për një seri vjedhjesh të ndodhura në fshatin Seman. Burime nga blutë e këtij qyteti bënë me dije se në pranga është vënë Gëzim Sinaj. Kanë qenë vetë banorët e Semanit, ata që kanë zënë në pritë hajdutin, i cili çdo të mërkurë vidhte bagëti në këtë fshat. Të njëjtat burime pohuan se rreth orës 03:30 të mëngjesit të së enjtes, Sinaj është kapur në flagrancë nga katër banorë që po e ruanin prej orësh për të kryer ritualin e tij, teksa tentonte të vidhte një lopë. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Adriatik Tiku, një prej banorëve që i zuri ‘pritë’ hajdutit pohoi se Sinaj u kap në flagrancë teksa tentonte të grabiste në pronën e familjes së tezes së tij.

“Ky person ka bërë gjëmën në fshatin Seman. Së bashku me tre kushërinjtë e mi e kishim kuptuar se ai vidhte çdo të mërkurë, ndaj pritëm zgjuar që hajduti të vinte. Rreth orës 3 të mëngjesit dëgjuam zhurmë. E lamë që hajduti të hynte brenda në kasollen e lopës. Jashtë kasolles ai la biçikletën. Pasi shqeu derën e saj, hyri brenda. Dy kushërinjtë ishin fshehur brenda kasolles, ndërsa unë dhe një tjetër qëndruam jashtë. Sapo ai hyri brenda, ne i dolëm përballë dhe e mbajtëm aty deri sa erdhi policia”, – tha Adriatiku. Policia gjatë arrestimit të 55-vjeçarit ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale përkatësisht: gërshërë, troko, dorashka, kapuç, litar, pinca, levë. Ndaj Gëzim Sinajt rëndon akuza “Vjedhje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat