Rrëfehen autorët: Si përdhunuam çiftin në pyll. U zbuluan nga telefoni

Kronikë e zezë

Rrëfehen autorët: Si përdhunuam çiftin në pyll. U zbuluan nga telefoni

Më: 29 nëntor 2014 Në ora: 09:21

“Ishim në pyllin e Semanit duke mbledhur boçe, kur pamë një çift të zhveshur e duke kryer marrëdhënie seksuale. Atëherë na erdhi mendimi të bënim atë që bëmë”.
Kështu janë shprehur para prokurorit dy të rinjtë e arrestuar paraditen e djeshme në Seman të Fierit, të cilët akuzohen për përdhunimin dhe grabitjen e një çifti të rinjsh, ngjarje e ndodhur me 20 tetor të këtij viti. Endi Goga, 20 vjeç, nga Semani dhe Shaban Skeja, 18 vjeç, banor i Semanit, kanë pranuar akuzën dhe janë përpjekur të justifikohen me tundimin që kanë ndjerë kur janë përballur me çiftin e zhveshur, por të rinjtë kanë harruar se aktin e rëndë kriminal, e kanë kryer nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar.

Njëkohësisht, dëshmia e tyre dhënë mbi ngjarjen, që lidhet me arsyen e të qenurit të tyre në pyllin e Semanit, bie pasi dy të rinjtë ishin të armatosur dhe të maskuar, prova këto që kanë hedhur dyshime se Goga dhe Skeja, mund të kenë kryer edhe akte të tjera të këtij lloji. Policia flet për dy persona të stërvitur në fushën e grabitjeve dhe të dhunimeve seksuale, ndonëse për ngjarjen në fjalë, bazuar në dëshminë që kanë lënë dy ‘viktimat’ në polici, Skeja ka qenë bashkëpunëtor, por nuk ka abuzuar me asnjërin prej të fejuarve, por ka kërcënuar dy personat me armë.

Zbulimi
Kanë qenë qelizat e telefonit të vajzës së dhunuar dhe përdhunuar që kanë çuar hetuesit në adresën e saktë. Dy agresorët, pas krimit të rëndë, kanë marrë telefonin e vajzës dhe e kanë mbajtur në shtëpi. Grupi që ka hetuar ngjarjen, ka kërkuar pajisjet e duhura nga Krimet e Rënda për të gjurmuar telefonin dhe shumë shpejt është rënë në gjurmët e tij. Më pas, dy të rinjtë janë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim prej disa javësh, derisa dy ditë më parë, gjykata ka dhënë vendimin për zbatimin e urdhrit të prokurorisë për vënien në pranga të dy të rinjve.

Policia e Fierit bëri me dije ditën e djeshme se gjatë operacionit të arrestimit të tyre, dy të rinjtë nuk kanë bërë asnjë rezistencë, ndërsa në banesat e tyre janë gjetur edhe kapuçat që përdornin për grabitje, një armë zjarri, si dhe një sasi detonatorësh. Të rinjtë, mësohet se punonin si çobanë dhe shkonin gjithnjë nga pylli i Semanit. Ka dyshime se ata i pikasnin viktimat e tyre në pyll dhe me pas përdornin mjetet që kishin me vete për t`u maskuar dhe për të grabitur vizitorët e pyllit.

Policia ka sekuestruar shumë materiale në banesat e dy të rinjve, ndërsa bëhet me dije se përgjatë këtyre dy ditëve, Goga dhe Skeja kishin planifikuar një tjetër akt kriminal. Policia tashmë ka prova të mjaftueshme për t`ia vënë në dispozicion prokurorisë, përveç dëshmisë së dy të rinjve, djalit nga Libofsha dhe vajzës nga Fieri, për të mbajtur në qeli dy të prangosuri. Referuar të dhënave të policisë, saktësohet se dy djemve u janë sekuestruar edhe dy telefona celular të markave të fundit, brenda të cilëve janë zbuluar materiale komprometuese.

Provat, kompjuteri i grabitur ne shtepine e Goges
Materialet e sekuestruara në banesat e dy të arrestuarve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në pyllin e Semanit, mësohet se hedhin dritë mbi një sërë aktesh kriminale që mbajnë autorësinë e Endri Gogës dhe të Shaban Skejës. Policia ka gjetur në banesën e Gogës një kompjuter, i cili mendohet se është i grabitur, edhe pse në momentin e arrestimit ka pretenduar se është i motrës së tij 15 vjeçe. Sipas të dhënave të policies së Fierit saktësohet se janë siguruar edhe dëshmi të prindërve të Gogës dhe të Skejës, të cilët, në fakt kanë mohuar të kishin dijeni për aktivitetin e tyre kriminal, paçka se kanë pranuar faktin se ishin në dijeni të materialeve që sillnin në shtëpi herë pas herë, duke iu thënë se i kishin blerë. Njëkohësisht policia ka kërkuar nga qytetarët që janë përballur me këta dy të rinj në Seman, të paraqiten për të kallëzuar rastet e tyre./Shqiptarja.com/.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat