Digjen të gjallë në kamion dy shqiptarë, tentonin Anglinë (VIDEO)

Kronikë e zezë

Digjen të gjallë në kamion dy shqiptarë, tentonin Anglinë (VIDEO)

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 12:01

Një ngjarje tragjike u mori jetën dy emigrantëve shqiptarë, të cilët tentuan të kalonin kufirin drejt Anglisë. Një e re dhe i afërmi saj janë djegur të gjallë, pasi kamioni me të cilën po transportoheshin u përfshi nga flakët.

Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur rreth orës 19:30 të mbrëmjes së të mërkurës, jashtë terminalit të trageteve në portin Loon-Plage, ndërsa ishin nisur nga Polonia.

Sipas burimeve të “A1 Report”, 22-vjeçarja Rina Kaçorri është me origjinë nga Rrësheni. Ajo ndodhej në kamion së bashku me Rexhë Mynzyrin, djalin e dajës së të fejuarit dhe do të kalonte në mënyrë ilegale drejt Anglisë, për t’u bashkuar me të fejuarin e saj, një i ri me origjinë nga Tropoja.

Për lajmin raportuan mediet franceze dhe ato britanike, ku “La voix du nord” shkruan se sipas policisë, shkak për zjarrin mund të ketë qenë ndezja e një cigareje, nga një emigrantët. Nga hetimet e para, policia mendon se cigarja ka djegur edhe pëlhurën që mbulonte pjesën e pasme të kamionit, ku ishin fshehur.

Nga pamjet e publikuara në mediet franceze, kamioni është shkrumbuar i tëri jashtë terminalit të trageteve në portin Loon-Plage.

Dy trupat e shtetasve shqiptarë u zbuluan tërësisht të karbonizuar pasi u shuan flakët, ku sipas ekspertizës në bazë të pozicioni ku u gjetën, dukej se po tentonin të zbrisnin nga kamioni për të shpëtuar.

Sipas të dhënave dy shqiptarët ishin të fshehur në një kamionin i cili transportonte shufra polisteroli (bukë peshku), gjë e cila ndikoi që kamioni të merrte flakë përnjëherë, duke mos u dhënë kohë dy shqiptarëve të manovronin. Kamioni i cili po nisej për në Angli kishte kaluar të gjitha kontrollet doganore dhe policore, në momentin që ndodhi shpërthimi në rimorkion e tij.

Automjeti drejtohej nga një shtetas polak dhe ishte nisur nga Polonia, ndërsa u përfshi nga flakët në terminalin e trageteve pranë Dunkirk.

Policia franceze bëri ndalimin e drejtuesit të kamionit. Teksa është marrë në pyetje nga Prokuroria, ai ka mohuar të ketë pasur dijeni se në pjesën e pasme të mjetit që drejtonte kishte emigrantë.

Gjatë ditës së sotme pritet të dalin rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, për të zbuluar shkaqet e tragjedisë që i mori jetën dy shqiptarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat