Tragjedi për dy emigrantë në kufirin franko-anglez, dyshohet të jenë shqiptarë

Kronikë e zezë

Tragjedi për dy emigrantë në kufirin franko-anglez, dyshohet të jenë shqiptarë

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 23:57

Tragjedi për dy emigrantë të cilët pësuan fund të tmerrshëm sot, kur kamioni ku gjendeshin mori flakë në kufirin mes Francës dhe Anglisë. Lajmi konfirmohet nga autoritetet britanike dhe ato franceze, raporton korrespondenti i noa.al në Londër. Tragjedia e tmerrshme ndodhi jashtë një terminali tragetesh pranë portit të Dunkirk në veri të Francës, natën duke gdhirë dita e sotme. Kamioni i drejtuar nga një shtetas polak, po udhëtonte nga Polonia në Britani dhe po kalonte doganën në portin Loon-Plage, raporton “The Telegraph” në Londër. Nga hetimi doli se emigrantët kishin bërë përpjekje që të shpëtonin jetën pas shpërthimit në kamion por nuk ia kishin dalë dot. Prokurori Dunkirk Eric Fouard ka konfirmuar se njerëzit e gjendur në kamion ishin karbonizuar nga flakët, duke shtuar se paraprakisht dyshojmë për një ngjarje aksidentale, citon “Daily Mail”, korrespondentin e saj Peter Allen. Pasi vizitoi skenën e ngjarjes, z. Fouard tha se kamion, i cili transportonte material izolues (polisterol), është shkatërruar praktikisht. Z.Fouard tha se dyshohet që viktimat janë emigrantë klandestinë. Një dyshim është se një cigare e hedhur mund të ketë shkaktuar zjarrin. Ekspertët mjeko-ligjorë thanë se janë duke kryer teste mbi pjesët e trupave të djegur. Në Londër, ka dyshime se personat që gjendeshin në kamion ishin shqiptarë. Një shqiptar nga veriu i cili jeton aktualisht në Londër, bën të ditur se janë thirrur në vendngjarje për të bërë ADN-në me qëllim identifikimin e personave të vdekur. I njëjti burim i tha NOA-s se dyshimet janë për vdekjen e një çifti shqiptar. Mediat britanike pas kësaj ngjarjeje vënë në dukje faktin siç thonë ata se shumë njerëz në përpjekje për të emigruar në Angli strehohen në kamionë për të kaluar në mënyrë klandestine kufirin. Rojet kufitare rregullisht raportojnë qindra emigrantë që gjenden të fshehur në shkurre përgjatë rrugëve kryesore dhe pranë portit, duke u përpjekur të hidhen mbi kamionë në momentet kur ata ngadalësojnë shpejtësinë. Edhe katër emigrantë vdiqën në një javë vetëm në mars të këtij viti. Mes tyre, më 9 mars, një burrë shqiptar u vra në një autostradë jashtë qytetit-port.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat