Çifti rrëfen dhunën seksuale në pyll

Kronikë e zezë

Çifti rrëfen dhunën seksuale në pyll

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 11:15

Deklarimet e dy të rinjve të fejuar të cilët janë përdhunuar nga dy persona të armatosur pasditen e 20 tetorit në pyllin e Semanit, kanë nxjerrë në pah se autorët kanë qenë të mirëpërgatitur dhe të kujdesshëm që të fshehin çdo gjurmë të tyre. Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna të reja rreth dëshmive rrëqethëse që 28-vjeçari dhe e fejuara e tij kanë dhënë para hetuesve, ku zbulohet dhuna fizike, verbale dhe seksuale e ushtruar ndaj tyre për rreth një orë.

Dëshmitë e çiftit

Nga burime të besueshme të policisë mësohet se sipas deklarimeve të dy të rinjve është mësuar se rreth orës 14:00 të datës 20 tetor, ata janë nisur për të kaluar atë pasdite në intimitet në bregdetin e Semanit. Të rinjtë janë shprehur se pasi kanë parkuar makinën në brendësi të pyllit me pisha kanë qenë duke qëndruar pranë njëri-tjetrit, kur rreth orës 15:00, aty kanë mbërritur dy persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri. Nga burimet mësohet se kur dy agresorët kanë mbërritur pranë vendit ku po qëndronin të fejuarit, këta të fundit kanë qenë pothuajse të zhveshur dhe “vizita” e të paftuarve i ka zënë në befasi. Në këto kushte, dy agresorët i kanë goditur dhe i kanë kanosur me jetë. Më pas u kanë lidhur duart dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, jo vetëm ndaj vajzës së re, por edhe ndaj të fejuarit të saj 28-vjeçar, i cili i kapur në befasi dhe i ndodhur nën presionin e armëve të zjarrit, nuk ka mundur të reagojë. Pasi kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe i kanë dhunuar fizikisht, e kanosur me jetë për rreth një orë, autorët i kanë lidhur në një pemë të rinjtë dhe u kanë marrë rrobat, celularët paratë dhe të gjitha sendet personale që kishin me vete, duke i lënë të zhveshur. Kur dhunuesit janë larguar dy të rinjtë kanë mundur të lirohen dhe kanë gjetur disa qese plastmasi në makinën e tyre, me të cilat kanë tentuar të mbulojnë trupin. Duke qenë se nuk kanë pasur celular me vete, ata kanë shkuar në postën e policisë që ndodhet në fshatin Seman dhe kanë denoncuar dhunën që u ishte ushtruar si edhe vjedhjen e të gjitha teshave dhe rreth 10 mijë lekëve të reja që kishin me vete. Ndërkohë, mësohet se efektivët e postës së policisë u kanë dhënë disa rroba dhe u kanë marrë deklarimet përkatëse dy të dëmtuarve.

Do të pyeten sërish

Duke qenë se deklarimet e marra ditën e ngjarjes janë dhënë në një gjendje mjaft të rënduar emocionale dhe psikologjike pritet që hetuesit t’i pyesin edhe njëherë dy të rinjtë gjatë ditëve në vazhdim. Nga burime të gazetës është mësuar se e fejuara e 28-vjeçarit ka mundur të konstatojë se dy autorët mbanin aromë bagëtish të ngjashme me atë të dhive. Fakti se autorët i kanë ndjekur dy të rinjtë dhe kanë qenë të pajisur me mjete mbrojtëse për kryerjen e aktit seksual, ka ngritur dyshimet te hetuesit se dhunuesit kanë qenë të parapërgatitur. Kjo, pasi duke përdorur mjete mbrojtëse për kryerjen e aktit seksual, ata nuk kanë lënë asnjë gjurmë të ADN-së së tyre në trupin e të dëmtuarve. Ndërkohë, duke qenë se kanë marrë të gjitha sendet personale dhe celularët i kanë dhënë vetes kohën e duhur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, pasi të dhunuarit nuk kishin mundësi të njoftonin policinë.

Dyshimet e policisë

Nga burime të bluve dyshohet se dy agresorët mund të jenë persona me precedentë penalë që jetojnë në stanet që ndodhen në zonën e Semanit dhe kryejnë vjedhje të herëpashershme. “Por, ende nuk ka ndonjë emër të dyshuar për autorësinë e kësaj ngjarjeje”, pohojnë burimet. Ndonëse janë shoqëruar disa individë, të cilët janë pyetur në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni mbi ngjarjen, ende nuk është arritur të gjendet ndonjë gjurmë e autorëve. Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Fierit mësohet të ketë nisur hetimin për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat