I akuzuari për rekrutimet në Siri, grevë në burgun 313

Kronikë e zezë

I akuzuari për rekrutimet në Siri, grevë në burgun 313

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 09:39

Verdi Morava, një nga personave të akuzuar për rekrutimin e personave dhe dërgimin e tyre për luftë në Siri, i cili ndodhet në burg në muajin e tij të tetë, ka hyrë në grevë urie në ambientet e burgut 313-të. Verdi Morava ka vendosur të sfidojë i vetëm heshtjen autoriteteve ligjzbatuese dhe shkeljen e të gjitha afateve të hetimit, sipas tij, duke hyrë në një grevë urie, grevë që e ka nisur mëngjesin e djeshëm. Referuar të dhënave që vijnë nga burgu 313-të saktësohet se Morava, personi që u vu nën akuzën e financimit të terrorizmit, është i vendosur në katin e dytë dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për t`i krijuar kushtet e duhura për kërkesën e parashtruar nga i paraburgosuri. Referuar të dhënave në lidhje me kërkesat e të burgosurit, nga Drejtoria e Burgjeve mësohet se Verdi Morava nuk ka asnjë ankesë për sa i përket trajtimit në burg, ndërsa kërkesa e tij janë procedurale. Nga pamundësia për të kontaktuar të akuzuarin si financues i një celule terroriste që menaxhohej nga dy imamë të vetëshpallur, “Shekulli” kontaktoi familjen e Moravës. I ati i tij, pranoi se i biri kishte nisur një grevë urie deri në zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë për personin e tij.

Rrëfimi i të atit

Dielli Morava tregon se ka kontaktuar me të birin pikërisht në ditët që ai kishte vendosur të hynte në grevën e urisë për të drejtat e tij ligjore. Sipas të atit mësohet se djali i tij nuk është marrë asnjëherë në pyetje deri më tani kur kanë kaluar plot 8 muaj nga vënia e tij në pranga nën akuza qesharake. Ai bën me dije se nga komunikimi që ka patur me të birin, ai i ka thënë se nuk del prej aty derisa të shkojë drejtësia në vend, në të kundërt është i gatshëm edhe të vetëflijohet. Sipas Dielli Moravës, i cili është personi që ndjek në çdo hap zhvillimet hetimore ndaj veprës penale për të cilën mbahen në qeli Verdi, saktëson se djali i tij, jo vetëm që nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga prokurorja e çështjes, por madje edhe nga oficerët e Policisë Gjyqësore është takuar vetëm njëherë dhe edhe atëherë për bisedë miqësore mes tyre por jo me asnjë qëllim hetimi. Morava saktëson se me djalin e tij janë shkelur të gjitha procedurat ligjore, që nga pas`arrestimi i tij e deri tek shtyrja e afateve të hetimit, shtyrje që sipas tij, asnjëherë jo vetëm që nuk është lajmëruar ai, por as dy avokatët mbrojtës të të birit: “Im bir më tha se nëse nuk vendoset drejtësi për të, atëherë do të vetëflijohet. Di të them se nëse ma gjen gjë Verdin, atëherë nuk di se si do të detyrohem të veproj”, u shpreh Dielli Morava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat