Biznesmeni vushtrrias përgjak zyrtarin komunal

Kronikë e zezë

Biznesmeni vushtrrias përgjak zyrtarin komunal

Më: 28 tetor 2014 Në ora: 14:58

Sot në mëngjes është rrahur rëndë një punëtor i Komunës së Vushtrrisë, i cili ka marrë plagë të rënda trupore.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur, kur disa persona i kanë dalë në pritë zyrtarit komunal të taksës në firmë, Mexhit Hasanit. Ata e kanë rrahur fortë duke e përgjakur, madje kanë përdorur edhe një shkop bejsbolli.

Viktima pasi ka marrë ndihmën e parë në qendrën emergjente në Vushtrri është dërguar për hospitalizim në QKUK, pasi që dyshohet se i ka të plasaritura kapilarët e gjakut.

Veriu.info mëson se pas marrjes së ndihmës në QKUK, viktima është kthyer në shtëpinë e vet.

Komuna e Vushtrrisë e ka dënuar këtë sulm ndaj punëtorit Mexhit Hasani, duke e cilësuar si sulm jo vetëm ndaj zyrtarit por edhe ndaj Komunës.

“Këshilli i drejtorëve të Komunës së Vushtrrisë e ka dënuar sulmin ndaj zyrtarit komunal, dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë që ta zbardhin këtë rast”, tha Blerim Zhabari, zyrtari i komunës së Vushtrrisë.

Zyrtari Zhabari gjithashtu ka shtuar së deri te ky rast ka ardhur pasi zyrtari komunal ditë më parë, ua ka dorëzuar një shkresë për pagimin e obligimeve biznesore familjes Azemi.

“Drejtoria e buxhetit dhe financave, bënë të ditur se zyrtari në fjalë kohë më parë në detyrë zyrtare, të njëjtëve persona që e kanë sulmuar sot, u ka kërkuar ta shlyejnë borxhin e taksës në firmë”, thuhet në reagimin e Këshillit të drejtorëve të Komunës së Vushtrrisë.

Në një prononcim për Veriu.info, sulmin ndaj zyrtarit komunal e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Ne kemi evidentuar këtë rast, ku si sulmues është identifikuar N.A., i cili pas sulmit është arrestuar nga policia”, thotë Zahiti.

Veriu.info mëson se agresori është biznesmeni vushtrrias Nazmi Azemi, që ka në pronësi super-marketin “Korabi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat