Gjirokastër, vrasin nënën dhe e raportojnë si vdekje natyrale

Kronikë e zezë

Gjirokastër, vrasin nënën dhe e raportojnë si vdekje natyrale

Më: 27 tetor 2014 Në ora: 20:47

Një ngjarje makabër është zbuluar së fundi në Gjirokastër, me protagonistë dy persona 59 dhe 66 vjeç, që dyshohen se kanë dhunuar gjer në vdekje nën e tyre 92 vjeç.

Dy personat me inicialet D. A dhe SH. A, 59 dhe 66 vjeç, kanë vrarë nën e tyre dhe në bashkëpunim me një mjeke e kanë raportuar atë si vdekje natyrale dhe më pas si vetëvrasje.

Polica ka arrestuar fëmijët e viktimës dhe mjeken e spitalit, e cila në kartelë ka shkruar se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Mësohet se më 10 tetor të këtij viti në familjen e të moshuarës ka shpërthyer një sherr, për arsye që policia nuk i bën me dije. Sipas gazetës “Shqip”, sherri në banesën e viktimës ka përshkallëzuar në përleshje fizike rreth orës 15:00 të pasdites.

Nga ky sherr ka dalë e dhunuar 92-vjeçarja me inicialet B.A, e cila më pas është dërguar në spital, por duke mos i shpëtuar vdekjes.

Pasi është ndarë nga jeta, fëmijët i kanë kërkuar mjekes së spitalit E.H që në raport të shkruajë që nëna e tyre ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Pavarësisht kësaj policia nisi hetimet dhe fillimisht u dyshua se e moshuara kishte vrarë veten, duke u varur, pas dhunës së ushtruar nga vajza e saj, me inicialet D.A., 59 vjeç. Grupi hetimor e shoqëroi D.A-në, në polici duke e akuzuar për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes. Ndaj saj nisi procedimi penal në gjendje të lirë.

Pak ditë më vonë, hetuesit nxorën në dritë fakte të reja që i bënin përgjegjës fëmijët e saj për krimin e rëndë.

Pas mbledhjes së provave materiale dhe dëshmive të të afërmve, policia arrestoi fëmijët e viktimës të identifikuar me inicialet D. A dhe SH. A, përkatësisht 59 dhe 66 vjeç. Në pranga ka rënë edhe mjekja, e cila akuzohet për bashkëpunim në vrasje dhe shpërdorim detyre.

Hetimet ndaj tre personave nuk janë mbyllur ende, por mësohet se dosja i ka kaluar prokurorisë dhe në ditët në vazhdim çështja pritet të shkojë në gjykatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat