Vrau kushëririn për pronat, 30 vite burg të akuzuarit

Kronikë e zezë

Vrau kushëririn për pronat, 30 vite burg të akuzuarit

Më: 26 tetor 2014 Në ora: 10:22

Gjykata e Kurbinit dënoi me 30 vjet burgim Fatmir Lamën, të akuzuar nga prokuroria për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Ngjarja për të cilën është akuzuar ky person ka ndodhur me 7 mars të këtij viti, 2014 në komunën Milot të Kurbinit, në të cilën shtetasi Fatmir Lama ka vrarë me armë zjarri Ramazan Lamën, kushërinj mes tyre. Shkak për krimin sipas organit të akuzës ka shërbyer një mosmarrëveshje pronësie mes palëve, ndërsa akuza është pranuar nga i pandehuri dhe për këtë shkak, gjykimi i çështjes është zhvilluar me procedurë të shkurtuar. Sipas hetimit të prokurorisë me 5 mars të vitit 2014, rreth orës 20.30, në fshatin Shullaz të komunës Milot të Kurbin, tek porta e jashtme e oborrit të banesës së Ramazan Lamës, kushëriri i tij i pandehur, Fatmir Lama, vrau me automatik të zotin e shtëpisë. Pas ngjarjes, autori i vrasjes, u largua nga vendi i ngjarjes, dhe më pas, ka njoftuar me telefon Komisariatin e Policisë së Kurbinit se donte të dorëzohej në polici, pasi kishte kryer një krim të rëndë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e policisë gjyqësore, kanë vajtur në vendin ku po qëndronte autori i vrasjes, Fatmir Lama, ku, ky i fundit, iu është dorëzuar forcave të policisë , duke iu shpjeguar se kishte vrarë Ramazan Lamën dhe iu është dorëzuar atyre bashkë me armën automatike me të cilën kishte realizuar vrasjen. Pas ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar mjetin “Mitsubishi” me targa LA xxxx B, me të cilën po lëvizte viktima Ramazan Lama, në momentin e ngjarjes, në të cilën është konstatuar thyerja e xhamave anësore të saj, të krahut të majtë të mjetit, ndërsa trupi i viktimës është gjetur në veturë ndërsa në derën e shoferit dhe në derën e pasagjerit të krahut të majtë janë gjetur vrima të shumta si ato që lenë predhat e armëve të zjarrit.

Sa i përket motiveve të vrasjes, i pandehuri Fatmir Lama, pretendoi se këtë veprim e kishte kry- er për shkak të padrejtësisë që sipas tij, i kishte bërë viktima, duke e përjashtuar atë, nga e drejta e përfitimit nga toka e fisit “Lama”, apo shitja e skorieve të fabrikës, të cilat kanë qenë të depozituara në tokën pronë e këtij fisi, tek ish- uzina e superfosfatit në Laç. Vëllai i viktimës ka pohuar se pak minuta para ngjarjes, në kohën që ai ishte duke qëndruar në shtëpi duke parë televizor, kishte dëgjuar borinë e makinës së Ramazanit dhe në këtë moment, fëmijët kanë dalë jashtë të hapin portën, e cila gjendet rreth 50 metra larg banesës. Para se të vinin fëmijët aty, janë dëgjuar krisma arme. Menjëherë ai dhe familjarët e tjerë kanë dalë jashtë dhe kanë parë makinën e Ramazanit, në një kanal afër portës dhe Ramazanin, të vdekur, sipër timonit.

I pandehuri Fatmir Lama e kishte takuar një person që i kishte dhënë një letër për t’ia dërguar vëllait të viktimës, shtetasit S. Lama, që ky i fundit, t’ia dërgonte Ramazanit. Përmbajtja e letrës kishte të bënte me disa probleme pronësie që ka patur mes familjes së të pandehurit me familjen e viktimës, të ndjerit Ramazan Lama, dhe kështu është bërë. Deklaruesi F.H, bashkë me vëllanë e Ramazanit, po atë ditë, rreth orës 17.00, e kanë takuar viktimën Ramazan Lama, dhe i kanë dhënë letrën e të pandehurit, ku, Ramazani, pasi e ka lexuar letrën, e ka hedhur në tokë dhe është larguar duke i thënë Fatmir Haxhiut “ ti çun, shiko punët tënde dhe merru me familjen tënde”. Djali i viktimës, shtetasi ka rrëfyer se në momentin e vrasjes ka qenë në Patok dhe është njoftuar nga familjaret e tij për ngjarjen, dhe kur mbërriti në Laç.

Ai shpjegon se mes familjeve te tyre nuk ka patur konflikte, dhe nuk kishte si ta shpjegonte shkakun e kësaj vrasjeje, madje deklaruesi sipas hetuesve ka thënë se Fatmirin e kishin mbajtur me bukë. Prokuroria tha se hetimi ka provuar tërësisht krimin, ndërsa pas hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor ai u gjet fajtor nga Gjykata. Për këtë krim, Lama është dënuar me 30 vjet burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat