Argjentinë, vajza 2 vjeçe gjendet në kanal me mamanë e vrarë

Kronikë e zezë

Argjentinë, vajza 2 vjeçe gjendet në kanal me mamanë e vrarë

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 10:32

Policia argjentinase ka gjetur në një kanal në Kordoba, një fëmijë rreth 2 vjeç, Martina, në gjendje kritike për jetën, pranë kufomës së nënës së saj, 28-vjeçares Paola Akosta, e vrarë me thikë.
Policia po kërkonte prej një jave gruan dhe fëmijën e saj dhe hetuesit dyshojnë se 28-vjeçarja është vrarë nga ish-bashkëshorti, Gonzalo Lizarralde, që pastaj e ka hedhur trupin në një kanal buzë një trotuari në rrugë, duke lënë aty edhe vajzën.

Martina u dërgua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën, nënvizojnë mediet argjentinase. Sipas një hipoteze, hetuesit thonë se e vogla, ka qëndruar tri ditë pranë kufomës duke e parë atë për thuajse 80 orë.

Ish-bashkëshorti i gruas dhe babai i fëmijës, Gonzalo Lizarralde, është në burg pasi akuzohet për vrasje nga një prokuror.

Gratë e Kordobës kanë dalë në protesta për të kërkuar drejtësi për Paola Akostën dhe që të mos përsëriten më ngjarje të tilla. Përveç manifestimeve nëpër rrugët e qytetit, gratë kanë themeluar edhe një grup në “Facebook”, që e kujton gruan e vrarë me foto dhe mesazhe ngushëllimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat