Arrestohen vrasësit e të moshuarave në Durrës, mes tyre edhe nipi që tregoi vendin e lekëve

Kronikë e zezë

Arrestohen vrasësit e të moshuarave në Durrës, mes tyre edhe nipi që tregoi vendin e lekëve

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 15:38

Dy persona janë arrestuar ditën e sotme pasi dyshohen të jenë autorët e vrasjes së dy të moshuarave në Durrës. Sipas burimeve të policisë dy të arrestuarit janë me origjinë nga Elbasani dhe Shijaku, dhe njëri prej tyre është nipi i viktimës.

Artur Kacanolli, 28 vjeç lindur dhe banues në Shijak, njëherësh djali i motrës së Gjinovefa Vavës, u arrestua në flagrancë për veprën penale të mbajtjes pa leje të municioneve luftarake si dhe si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e tezes së tij dhe të moshuarës tjetër.

Gjithashtu u arrestua Velson Elmazi 28 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i cili ishte dënuar më parë me 4 vjet burgim për veprën penale “marrëdhënie seksuale me dhunë” si dhe i dënuar për “prodhim, shitje lëndësh narkotike”.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim Indrit Shqaja, 40 vjeç lindur dhe banues në Shijak i dënuar më parë për vepra penale dhe i dyshuar si i përfshirë në një sërë veprash të rënda kriminale.

Kacanolli dyshohet se u ka treguar të rinjve vendin ku ndodheshin paratë. Mësohet se ai ka qenë në dijeni të shumës së parave që ndodheshin në banesë dhe u ka treguar dy autorëve të dyshuar se ku t'i gjejnë ato.

Sipas policisë kohë më parë ai ka kërkuar me detonator në banesë për sende me vlerë si florinj dhe unaza, por ka zbuluar vetëm sasinë e parave prej 2 milionë lekësh të vjetra.

Më pas ai ka kontaktuar Velson Elmazin dhe Indrit Shaqen, me të cilët duke ditur vendin ku fshiheshin paratë, kanë përgatitur dhe kanë venë në jetë planin për grabitjen, që u finalizua edhe me vdekjen e dy të moshuarve, ndërsa vetë nuk ka qenë prezent natën e grabitjes.

Pas arrestimit, në banesën e tij u gjet një sasi prej 65 fishekësh, 4 ndezësa detonatore si dhe nje sasi fitili zjarrpërcjelles.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 2 shtator dhe tronditi Durrësin pasi dy kunatat e moshuara, përkatësisht Elsa dhe Gjinovefa Vava, u dhunuan për vdekje. Dy të moshuarat u gjetën të pajeta në banesën e tyre dykatëshe nga i biri i njërës prej viktimave.

Fillimisht dyshohej se, ngjarja mund të kishte lidhje me një çështje pronësie, pasi dy të moshuarat ishin pronare të disa pasurive të paluajtshme për të cilat ishin në proces gjyqësor.

Por më pas pista u fokusua tek grabitja, pasi u konstatua se në banesë mungonin 2 milionë lekë. Ndaj të moshuarave, sipas ekspertizës mjekoligjore ishte ushtruar dhunë, ndërsa ato u gjetën me duart të lidhura në banesën e tyre, ku asfiksia u solli dhe vdekjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat